NOTAT, JAVA 8/ Partizani rikthehet i frikshëm, Tirana gjen qetësinë. Kukësi pa dëshirë, Vllaznia shpërfytyrohet në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 22:00

NOTAT, JAVA 8/ Partizani rikthehet i frikshëm, Tirana gjen qetësinë. Kukësi pa dëshirë, Vllaznia shpërfytyrohet në fund

VLERËSIM I “PANORAMA SPORT”

Partizani 8 – Të kuqtë rikthehen të frikshëm në kampionat, duke i shënuar tre gola Vllaznisë në Shkodër, një skuadër që këto shifra i kishte pësuar në shtatë javë kampionat së bashku, duke qenë ndër mbrojtjet më të mira. Një Partizan kompakt që beson deri në fund te fitorja dhe ia del me kualitetet që ka. Çinari ndëshkon ish-skuadrën, ndërsa shkëlqejnë atëherë kur duhet edhe Mala, Bardhi dhe Asani.

partizani shkoder

Teuta 7.5 – Një skuadër cinike që di se çfarë kërkon. Dominon ndaj Flamurtarit, por vuan për të gjetur golin. Megjithatë, duhet të ndihet me fat që ka një fantazist me shumë klas, si Kallaku, që në momentin më të vështirë për durrsakët arrin ta zgjidhë ndeshjen me një goditje perfekte. Tetë javë kampionat dhe në krye të tabelës. Në Durrës po i marrin maksimumin skuadrës, edhe pse sulmuesit Nikaç dhe Khalid nuk janë ende aty ku duhet. Një dyshe që ka prodhuar vetëm një gol.

teuta

Tirana 7.5 – Më në fund pak qetësi në kampin bardheblu. Dy humbjet radhazi ndaj Kukësit dhe Partizanit e më pas barazimi në Vlorë kishin trazuar shumë situatën, por fitorja 2-1 ndaj Laçit, edhe pse me jo pak vështirësi, është një sinjal i mirë për vazhdimësinë. Vetëm një pikë larg kreut e motivon ekipin për të harruar “makthin” e derbeve.

tirana

Skënderbeu 6 – Ekip i tjetërsuar ndaj Kukësit, që dominon me lojë dhe raste për të shënuar. I afrohet golit disa herë, por shpesh nuk ka fatin me vete, ndërsa gjen edhe portierin Xhika në një ditë të mirë. Nuk fitoi, por një pikë dhe loja e mirë, janë një shtysë e madhe.

Bylisi 6 – Kërkon të imponohet në Gjirokastër, duke e nisur furishëm lojën, por ndalet te shtyllat, me nigerianin Ntepe të pafat. Pëson nga një goditje këndi, por fiton me zgjuarsi një penallti për meritë të Goxhajt dhe del me një pikë të rëndësishme nga kjo transfertë.

Luftëtari 5.5 – Nuk di të menaxhojë rezultatin, duke lënë pikë edhe atëherë kur gjithçka e ka në dorë. Açka gjen golin e parë në Superiore, por më pas shkakton penallti. Barazimi 1-1 nuk i kënaqi gjirokastritët, ndërsa disa ndryshime të trajnerit grek në formacion duket se më tepër e çoroditën ekipin sesa e futën në “shina”.

Kukësi 5 – Çfarë po ndodh te Kukësi? Si ka mundësi një ekip me kaq kualitet shfaqet pa dëshirën e duhur për të fituar dhe me një mungesë të theksuar agresiviteti? Në Korçë ishte me fat që shmangu humbjen.

Laçi 4 – Ndryshon trajneri, por jo kurbinasit. Humbet me Tiranën në debutimin e Cungut dhe përtej dëshirës që shfaq, nuk ngroh për të qenë mes pretendentëve. Nuabueze shënon rregullisht, por kjo s’mjafton.

Flamurtari 4 – Nuk luan keq, por sërish humbet. Ndaj Teutës e pëson prej një mbrojtjeje në gjumë. Vetëm dy pikë në tetë ndeshjet e para nuk kishin bërë kurrë vaki në historinë e futbollit vlonjat.

Vllaznia 4 – Sa herë në Shkodër përgatiten për të bërë hapin e madh, skuadra zhgënjen. Në fakt, ndaj Partizanit edhe një pikë ishte OK, por befas skuadra u shpërfytyrua në fund dhe tregoi limite.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"