NOTAT, JAVA 5/ “Shpërthim” i Luftëtarit, Partizani shkëlqen. Zhgënjejnë Flamurtari e Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 20:10

NOTAT, JAVA 5/ “Shpërthim” i Luftëtarit, Partizani shkëlqen. Zhgënjejnë Flamurtari e Teuta

VLERËSIM I PANORAMA SPORT

Partizani 8 – Aksione të shpejta, qarkullim topi, gola të bukur dhe mbi të gjitha një lojë zbavitëse për tifozët. Si ky Partizan kishte kohë që nuk shikohej dhe ndaj Flamurtarit konfirmoi se nuk është i konsoliduar vetëm në aspektin mbrojtës, por ka kualitet edhe në sulm. Mensah finalizoi një pasim spektakolar të Bardhit, ndërsa Telushi ndëshkoi ishskuadrën me një goditje dënimi, që i ka specialitet.

Partizani

Luftëtari 8 – Nuk është e lehtë që pas katër humbjeve radhazi të motivosh një skuadër. “Kura” e Gentian Mezanit funksionoi psikologjikisht, pasi Luftëtari shpërtheu kundër Teutës. Dukej një skuadër e rilindur, që sikur mezi kishte pritur largimin e trajnerit slloven, Millosh Kostiç. Madje, loja dhe golat ishin spektakolarë.

Kukësi 7 – Shpërdoron pa fund, por rëndësi kanë pikët dhe Kukësi është nga ato skuadra që nuk të fal. Tri fitore radhazi dhe për më tepër kjo e fundit ndaj Kamzës, ia shton edhe më shumë vlerat. Goli i vetëm nuk u realizua nga bomberi Rexhinaldo, por nga kapiteni Shameti, i cili bën detyrën e qendërmbrojtësit. Mënyra e ekzekutimit ishte si një leksion për sulmuesit, të cilët shpërdoruan ndaj Kamzës.

Tirana 6.5 – Shënon e para në Korçë, por nuk di të “vrasë” ndeshjen, madje zvogëlohet shumë në pjesën e dytë. Lojtarët bardheblu treguan një mungesë stabiliteti sa i përket lojës në fazën defensive, me gabime që s’mund t’i ndodhin një ekipi pretendent.

Skënderbeu 6 – Edhe pse kishte portierin dhe mbrojtësit në një ditë të errët, sërish di të reagojë, madje i afrohet edhe përmbysjes së rezultatit ndaj Tiranës. Megjithatë, konfirmon se nuk është më skuadër e frikshme.

Kastrioti 6 – Mbetet me 10 lojtarë dhe gjen forca për të shënuar ndaj Laçit. Mirëpo, mungesa e eksperiencës e dënon në fund, pasi nuk di të menaxhoj avantazhin. La dy pikë ndaj kurbinasve.

Laçi 6 – Sa shumë ndihet mungesa e Uzunit dhe Rexhinaldos. Skuadra e Artan Mërgjyshit e ka shumë të vështirë të imponohet pa dy sulmuesit e sezonit të kaluar. Afrimet e verës janë larg pritshmërisë, madje një prej tyre, Najdenov, u bë protagonist negativ ndaj Kastriotit.

Kamza 4.5 – Guxon me rreshtimin ndaj Kukësit, duke kërkuar të imponohet, por vetëm kaq. Pak e rrezikshme në portën kundërshtare dhe e pëson nga një vendosje e gabuar thuajse e gjithë linjës së mbrojtjes.

Flamurtari 4 – Ndaj Skënderbeut u mendua se ishte aksident, por vlonjatët treguan se nuk janë ende ekipi që mendohet pretendent. Inekzistentë me Partizanin, teksa goditën vetëm një herë në kuadrat.

Teuta 4 – Paraqitje zhgënjyese në Gjirokastër, duke filluar nga mbrojtja në sulm. Munden nga Luftëtari në mënyrën më të thjeshtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"