NOTAT, JAVA 14/ “Ndizet” Bylisi, spektakël i Kukësit. Partizani në “gjumë”, Tirana pa identitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2019 | 22:36

NOTAT, JAVA 14/ “Ndizet” Bylisi, spektakël i Kukësit. Partizani në “gjumë”, Tirana pa identitet

VLERËSIM I “PANORAMA SPORT”

BYLISI 8 – Ata që mendonin se ballshiotët ishin “fikur”, morën një përgjigje në sfidën ndaj kampionëve në fuqi. Bylisi u rikthye i fortë dhe nuk iu tremb aspak Partizanit. Shënoi i pari, më pas e pësoi nga një goditje dënimi dhe sërish u rikthye në avantazh. Lojtarë që vrapojnë shumë dhe detyrojnë “demat” të zvogëlohen në fushë. Një triumf i merituar dhe një konfirmim se Bylisi është për Europë.

bylis

KUKËSI 8 – Spektakël ndaj Tiranës dhe katërshja Rroca, Gavazaj, Abazaj e Shkurtaj në superformë. Ndëshkohen shumë shpejt, por loja tregon më pas se goli që morën ishte thjesht një aksident. Kukësi i Shpëtim Duros ishte asfiksues, duke e detyruar Tiranën të qëndrojë në pozicion pritjeje për afro 70 minuta lojë. Pjesa e dytë ishte leksion futbolli, duke u shpërblyer me tre gola si një rrjedhë logjike e lojës.

kukesii

VLLAZNIA 8 – Ia del të fitojë në Gjirokastër falë lojtarëve me eksperiencë që ka, duke i dhënë një goditje rivalit më të afërt që kishte në tabelë. Deri në minutën e 85-të nuk kishte bërë ndonjë lojë brilante, madje duke rrezikuar të humbte. Megjithatë, Malota dhe Lika shënuan për një fitore që ndoshta vlen më shumë se tri pikë.

TEUTA 7 – Sa vuajtje ndaj Skënderbeut, por në fund një çlirim i vërtetë kur Lorenco Vila bën një roveshatë. Skuadra e Shkëmbit e kërkoi deri në fund fitoren, duke lënë hapësira të mëdha në mbrojtje, teksa Rustem Hoxha ishte improvizuar në majën e sulmit.

LAÇI 7 – Tri pikë me tre gola në pjesën e dytë. Laçi bëri detyrën në shtëpi ndaj një Flamurtari që në pjesën e parë e nervozoi ekipin kurbinas. Nuabueze vazhdon të jetë protagonist.

SKËNDERBEU 5 – Në Durrës nuk kishte lidhje me Skënderbeun e dy ndeshjeve të kaluara, edhe pse i pati mundësitë për ta goditur Teutën. Në fund u tërhoq më shumë se duhet dhe nuk e mbajti dot presionin, pasi durrsakët ia imponuan lojën me presingun lart.

PARTIZANI 4 – Një skuadër në “gjumë”, që dukej qartë se nuk e kishte vlerësuar në maksimum Bylisin. Në pjesën e parë ishte brenda pritshmërive, duke bërë një lojë deri diku të pëlqyeshme, ndërsa në 45 minutat e dyta lëshoi shumë terren dhe meritoi të humbiste.

FLAMURTARI 4 – Nuk mund të presësh më tepër nga një skuadër që duket totalisht e braktisur. Megjithatë, luan mirë në Laç, por ndëshkohet për mungesë përqendrimi në pjesën e dytë.

TIRANA 4 – Janë 24 herë kampionë, por ekipi aktual po tregon ndeshje pas ndeshjeje se nuk ka identitet, madje duke u kthyer shumë mbrapa, qoftë me lojën që zhvillon dhe dëshirën që shfaq për të fituar. U eklipsua totalisht nga Kukësi duke konfirmuar krizën e thellë.

LUFTËTARI 4 – Kishte shansin të hapte kampionatin, por nuk diti të ndëshkonte Vllazninë. Në fund nuk e mbajtën “gjunjët”, duke konfirmuar edhe një herë se përzgjedhjet e bëra në verë janë një dështim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"