NOTAT, JAVA 12/ Skënderbeu tregon forcë karakteri, Flamurtari sheh dritë. Laçi nuk di të ndalet, Partizani e merr lehtë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 22:41

Kategoria Superiore LAJMI KRYESOR Të fundit

NOTAT, JAVA 12/ Skënderbeu tregon forcë karakteri, Flamurtari sheh dritë. Laçi nuk di të ndalet, Partizani e merr lehtë

VLERËSIM I “PANORAMA SPORT”

Gripshi Skenderbeu

SKËNDERBEU 7 – Tregon forcë karakteri në Ballsh, duke konfirmuar se sa herë që “provokohet”, i ka cilësitë për të mposhtur çdo kundërshtar. Oshilacionet i shfaq edhe ndaj Bylisit, pasi shënon gol dhe më pas përmbyset. Mirëpo, këtë herë skuadra e Dajës besoi deri në fund se mund të fitonte dhe ia doli, duke bërë një superpërmbysje në fund.

LAÇI 7 – Katër fitore radhazi dhe sërish Nuabueze, i cili nuk ndalet as nga penalltitë, teksa këtë kampionat ka kthyer në gol katër 11-metërsha. Ndaj Kukësit nuk ishte autostradë, por gjithsesi kurbinasit e kërkuan më tepër fitoren dhe ia dolën. Tashmë janë të tretët dhe shkojnë në ndeshjen ndaj Partizanit me vetëm tri pikë më pak.

laci

FLAMURTARI 6.5 – Vlonjatët ndalin Partizanin dhe shohin dritë në fund të tunelit. Një pikë mund të mos vlejë aspak nëse shikon renditjen, por ajo lojë ndaj të kuqve mund të bëhet burim frymëzimi për vazhdimësinë, edhe pse mbijetesa për momentin duket si një mision i pamundur. Një super-Moçka u mohon fitoren kampionëve në fuqi.

VLLAZNIA 6.5 – Të mundesh të hënën ndaj Bylisit në Shkodër dhe pas katër ditësh të marrësh pikë ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi” është si gjysma e së keqes për një Vllazni që dukej e tronditur. Mirsad Jonuz e sheh ndeshjen nga tribuna prej pezullimit, por taktika e tij funksionon në fushë, pasi shkodranët i lënë pak hapësira Tiranës dhe për më tepër godasin shtyllën dhe krijojnë mundësi të tjera për gol.

TIRANA 5.5 – Bardheblutë janë një “deja vu”. Mema u largua, por ndryshimi në rezultate nuk ka ardhur ende. Skuadra e Ahmatajt u tregua e mefshtë ndaj Vllaznisë, duke gabuar para portës. Ishte një ndeshje që edhe mund të humbje ashtu si shkoi loja, por ngushëllimi i vetëm duket se është ndalesa e Partizanit në Vlorë.

LUFTËTARI 5.5 – Një pikë ndaj Teutës nuk është keq, por kur shikon renditjen dhe distancën me vendin e tetë, duket sikur Luftëtari ka humbur. Duhet të kishte guxuar më tepër nëse pretendon se mund të qëndrojë në Superiore, por luajti me 7 lojtarë me tipare… defensive!

TEUTA 5.5 – Zhgënjen në Gjirokastër. Sulmuesit Khalid dhe Nikaç nuk po e nxjerrin dot skuadrën nga ngërçi që e ka kapur. Goli është bërë makth dhe nuk mund të presësh gjithnjë ndonjë shpikje të Kallakut.

PARTIZANI 5 – E merr lehtë ndeshjen në Vlorë dhe nuk tregon vendosmëri për të fituar. Edhe pse shënon i pari, e pëson shumë shpejt. Më pas nuk ka as fatin me vete për të shkuar te goli i dytë, pavarësisht se iu mohua një penallti neto dhe tashmë mund të flisnim ndryshe.

KUKËSI 4 – Luajti në Laç me synimin për të marrë të paktën një pikë, por u ndëshkua edhe prej arbitrimit. Megjithatë, kjo nuk mund të jetë alibi, edhe pse mungesat me peshë që kishte ndikuan jo pak.

BYLISI 4 – Skënderbeu i sjell “parajsën”, por më pas e çon në “ferr”. Ballshiotët nuk ditën të menaxhonin përmbysjen, në një ndeshje ku me pak kujdes do ta mbyllnin në favor ose më e pakta nuk do të humbnin.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com