NOTAT, INTER/ Godin vuan ndaj Ronaldos, Lautaro i frymëzuar. Konte i “dorëzohet” humbjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2019 | 21:21

NOTAT, INTER/ Godin vuan ndaj Ronaldos, Lautaro i frymëzuar. Konte i “dorëzohet” humbjes

Interi u mund me shifrat 1-2 ditën e djeshme në “San Siro” nga Juvja, ndërkohë që “Panorama Sport” ju sjell notat për ekipin zikaltër.

lautaro de ligt

Handanoviç 5 – Kapet në befasi nga e majta e Dibalës, por i mohon Ronaldos golin e 2-1 përpara se të zbresë në tunel. Por edhe në golin e Higuainit, ashtu si ndaj numrit 10 juventin ka pak përgjegjësi. Mund të bënte më shumë.

D’Ambrozio 6 – Ruan korsinë e djathtë me shumë eksperiencë. Përgjatë 90 minutave ofron shumë kilometra dhe tregoi dëshirë të madhe, por thuajse ishte inekzistent në fazën sulmuese për të ndihmuar më tepër Interin.

Godin 5 – Në pjesën e parë është gjithmonë në kohë vonesë ndaj Ronaldos, pasi vuan shpejtësinë e portugezit. Konte e kupton këtë dhe e thërret në pankinë, në minutën e 54-t pasi bateritë iu shkarkuan totalisht.

Shkrinjar 6 –Nuk arriti të përdorë për asnjë sekondë kilogramët e tij ndaj Paulo Dibalës, në rastin e golit të tij, por as provoi rrëshqitjen. Gjithsesi, pas startit negativ merr masat dhe s’bën gabime flagrante.

De Vraj 6.5 – Fiton duelin në distancë me De Ligtin. Holandezi i zikaltërve tregohet më i kthjellët se bashkatdhetari i tij. Nuk gaboi asnjë dyluftim me kokë. Brenda dhe jashtë zonës së Interit ishte ai “Mbreti i ajrit”.

Azamoah 5.5 – Me Kuadradon ishte një duel deri në pikën e fundit të “gjakut”. Edhe pse në pjesën e parë arrin të përmbajë furinë kolumbiane, duke frenuar disa aksione të rrezikshme, por shuhet totalisht në fundin e sfidës.

Brozoviç 5 – Nervoz, pa shumë dëshirë dhe pak i qartë në gjërat që kërkonte të bënte. Gaboi shumë topa edhe kur i kërkohej të shpërndante lojën nga zona e tij. 11 topa të humbur janë shifra e errët e mbrëmjes.

Sensi 6 – Luan një gjysmë ore pa shpërthime të jashtëzakonshme, por është gjithmonë ai që vendos ritmet e lojës së Interit dhe vë në vështirësi Juven. Por një problem muskulor e detyron të mbyllë shpejt ndeshjen.

Barrela 6.5 – Një luftëtar i pashtershëm. Ofron gjithmonë ndihmë në markim ndaj zotëruesve juventinë të topit, por kur duhet nuk e tërheq asnjëherë këmbën prapa. Pa dyshim më i miri në mesfushë për zikaltrit.

Lautaro 7 – Ndeshje fantastike. Shumë i ftohtë nga pika e penalltisë me një goditje perfekte, i vjen në ndihmë mesfushës dhe zgjeron shpesh lojën. Godet sa herë që i jepet mundësia dhe driblon. Shumë i frymëzuar.

lukaku bonuci

Lukaku 5.5 – Luan me shpatulla nga porta, sakrifikohet, mbështet shumë topa për shokët e mesfushës, por në të njëjtën kohë, në pjesën e nxehtë të ndeshjes belgu gabon pasimin në tri raste decizive për gol.

Vesino 5 –  Në të 33-ën i zë vendin Sensit, por teknika në këmbët e tij është shumë e limituar. Taktikisht mbuloi rolin e Sensit, por në asnjë moment s’e zëvendësoi. Në fund, Shezni i mohoi golin e barazimit.

Bastoni 5.5 – Merr vendin e Godinit në të 54- ën dhe menjëherë tregon personalitet. Luan i sigurt dhe i bindur në cilësitë e veta deri në minutën e 80-të kur del jashtë linjës së mbrojtjes dhe “killeri” Higuain e dënon.

lautaro martinez

Politano (pa notë) – Zbret në fushë në të 77-ën në vend të Lautaros. Tregon menjëherë një dëshirë të madhe, provon të lëshojë sa më shumë krosime në zonë dhe me topin në këmbë është shumë i shpejtë, ndonëse nuk mjaftoi.

Antonio Konte 5.5 – “Iu desh të ‘bashkëjetonte’ në fushë kundër ish-skuadrës së tij, duke humbur vetëm pas disa minutash lojë trurin e skuadrës së tij, Stefano Sensin, i cili i la vendin një mesfushori që me teknikën nuk ka lidhje fare, si Matias Vesino. Mjafton kaq që të humbasë pika e referimit e lojës zikaltër dhe menjëherë Interi tërhiqet dhe vuan. Në pjesën e dytë tregohet shumë kurajoz duke zëvendësuar Godinin me të riun Bastoni, i cili i shton më shumë shpejtësi repartit të prapavijës, por edhe një vrimë më shumë në rastin e golit të fitores së Higuainit. Por ajo që duket e vështirë për t’u pranuar është zëvendësimi i Lautaros me Politanon, i cili vërtet mund të shtojë më shumë krosime të rrezikshme në minutat e fundit, por të largosh më të mirin në fushë për Interin, dukej si një lëvizje për t’iu dorëzuar humbjes”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"