Notat e supersfidës / Kukësin e “tradhton” qendra e mbrojtjes, Lilaj konfirmohet lider i Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2017 | 20:59

Notat e supersfidës / Kukësin e “tradhton” qendra e mbrojtjes, Lilaj konfirmohet lider i Skënderbeut

KUKËSI

kukesi

Koliçi 6.5 – Nuk ka asnjë përgjegjësi te goli i parë i Bruno Ditës, e aq më tepër te penalltia. Ka mbajtur në lojë Kukësin në të paktën tre raste, duke evituar gola të sigurt.

Hallaçi 5.5 – Vuajti shumë me Xhejmsin, madje rrezikoi të shkaktonte edhe një penallti gjatë pjesës së parë. Megjithatë, kapiteni ishte ai i zakonshmi dhe nuk stonoi.

Hoxha 4 – Milinkoviç i besoi në qendër të mbrojtjes për të zëvendësuar Shametin, por ishte larg pritshmërive. Gabon disa herë në vendosje dhe e vulos me penalltinë e shkaktuar ndaj Muzakës. Një ndeshje për t’u harruar e shtatlartit durrsak.

Alla 4 – Dukshëm nuk është ai i sezonit të kaluar. Ndonjëherë nuk mjafton forca për të përballuar sulmuesit, e aq më tepër kur ke përballë një si Soue. Ndeshje e dobët për pogradecarin.

Imami 5.5 – Bën mirë në fazën mbrojtëse, por nuk e mbështet si duhet brazilianin Kale në krahun e majtë. Ia del të mbulojë mirë Takun, edhe pse në momente të veçanta lë hapësira të rrezikshme. (Ethemi 90′ – nuk mund të vlerësohet).

Musolli 6 – Përballë Lilajt, Ditës dhe Muzakës vuan pa masë. I duhet të vrapojë sa për dy lojtarë, por e ka të vështirë të nxjerrë skuadrën përpara. Megjithatë, lëviz pa fund për 90 minuta.

Kërkotiç 5.5 – Ndaj Skënderbeut ishte një ndeshje barometër për malazezin, pasi duhet të tregonte se është marrë te Kukësi për të bërë diferencën në mesfushë. Luftarak dhe shumë i fortë fizikisht, por gabon pa fund në pasime dhe i mungon shumë befasia.

Kale 5.5 – Braziliani futet në “xhep” nga Vangjeli. Dje dukej i lodhur, teksa stonoi edhe kur mori ndonjë pasim që mund të kthehej në rast të rrezikshëm, si ai i minutës së 45-të.

Guri 4.5 – Ndeshje zhgënjyese për sulmuesin shkodran. Pozicioni i tij natyral është në qendër të sulmit, por dje Milinkoviç e përdori fillimisht si mesfushor i djathtë e më pas në majë të ofensivës.

Bakaj 6.5 – Shënoi golin e barazimit të përkohshëm dhe ishte nga më të rrezikshmit për Kukësin për aq sa luajti. Largimi i tij ndikoi direkt në lojën e kampionëve në 45 minutat e dyta. (Zeqiri 5 – Nuk është ai që të gjithë panë pak javë më parë ndaj Partizanit. Këtë herë e nisi nga stoli, por luajti gjithsesi një pjesë të plotë dhe nuk e bëri diferencën).

Alijev 5.5 – “Vjedh” një penallti dhe kjo është merita e vetme e tij në ndeshjen e djeshme. I ardhur me shumë bujë te Kukësi, sulmuesi duket se nuk po ambientohet. (Shtubina – Luajti në 20 minutat e fundit dhe ishte shumë pak në kontakt me topin).

Trajneri Mladen Milinkoviç 5 – Dora e tij ende nuk po duket. E nisi me skemën 4-2-3-1, por nuk funksionoi aspak. Harrojeni Luftëtarin dhe lojën e bukur, por duket se serbit te Kukësi nuk po i përgjigjen lojtarët ashtu siç ai kërkon. Vetë trajneri ka kërkuar kohë deri në javën e 7-të.

SKËNDERBEU

kukesi skenderbeu

Shehi 6.5 – Pati shumë pak punë, por gjithsesi i dha siguri skuadrës atëherë kur duhej.

Vangjeli 7 – Mbrojtësi duket i rilindur. Mbulon më së miri lojtarin më të rrezikshëm të Kukësit, Kale. Në pjesën e dytë ndien disi lodhjen, por kjo është e kuptueshme, pasi të enjten ishte 90 minuta në fushë ndaj Jang Bojsit.

Jashanica 6 – Duhet të ishte më i kujdesshëm në markimin e Alijev. Mund të shfajësohet për faktin se penalltia nuk duhej dhënë, por ama duhet të dijë se për të njëjtën situatë, “dënoi” skuadrën në ndeshjen e 20 majit në Kukës, kur ishte në duel me Eminin.

Aliti 6.5 – Ndeshje e mirë e mbrojtësit kosovar, që e nis takimin si qendërmbrojtës dhe e mbyll në krahun e majtë. I rreptë dhe pozicional.

Mici 6.5 – Fitoi duelin me Gurin dhe ndihmoi skuadrën edhe në fazën ofensive. Ndjeu lodhjen në pjesën e dytë dhe Daja e zëvendësoi. (Radas – Luajti pas minutës së 63-të. Nuk stonoi për asnjë moment).

Dita 8 – Ndeshja e madhe e mesfushorit. Jo vetëm se shënoi një gol shumë të bukur, por bëri gjithçka mirë në pozicionin që shpesh thonë se aty luajnë vetëm ata lojtarë që janë për… trajnerin. (Sahiti – Luajti në 20 minutat e fundit, tentoi të kapte ritmin e lojës, por nuk mund të vlerësohet).

Lilaj 8 – Mëkat që nuk grumbullohet me Kombëtaren. Po kalon një formë të shkëlqyer dhe po konfirmohet gjithashtu si një goditës i mirë i penalltive. (Gripshi – U fut në shtesë, atëherë kur duhej vonuar edhe pak loja).

Muzaka 7.5 – Si vera, sa më e vjetër, aq më e mirë. Mesfushori shkëlqen edhe në rolin e ri. Sa herë kishte topin në këmbë, ishte i rrezikshëm.

Taku 7 – Po rikap formën e dikurshme. Lojtari tiranas bën mirë rolin e mesfushorit të krahut, por i afrohet edhe golit. I pafat në minutën e 33-të, pasi godet shtyllën.

Xhejms 6.5 – Skënderbeu mund ta mbyllte ndeshjen shumë më shpejt në Kukës, por duhet të kthejë sytë nga nigeriani për rastet e arta që humbi për shënim. Megjithatë, është një garanci e madhe e korçarëve, për më tepër që luan në pozicionin e Latifit prej disa javësh.

Soue 7 – “Bisha” e sulmit edhe dje nuk stonoi, pavarësisht se vinte nga 90 minuta të lodhshme kundër Jang Bojsit. Alla dhe Hoxha u bënë bashkë për ta ndalur, por sulmuesi as që nuk donte t’ia dinte.

Trajneri Ilir Daja 8 – E çfarë mund të bëjë më shumë një trajner. Mbajti në tonus lojtarët edhe atëherë kur dukej se fantazmat e ndeshjes së 20 majit po riktheheshin me atë penallti të akorduar në pjesën e parë. Rrotacioni funksionon dhe tashmë ka mbetur t’u bëjë “qejfin” lojtarëve si Shkodra dhe Nespor, që po “ngrohin” stolin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"