Notat e Superiores / Laçi tejkalon parashikimet, pretendentët janë “ngelës” në javën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2017 | 20:07

Notat e Superiores / Laçi tejkalon parashikimet, pretendentët janë “ngelës” në javën e parë

Ndeshjet e para në Kategorinë Superiore kanë dhuruar rezultate dhe paraqitje të pritshme deri diku, por edhe një surprizë si ajo e Laçit në kryeqytet. Në vijim janë notat e “Panorama Sport” për skuadrat e Superiores dhe paraqitjet e tyre në këtë fundjavë…

partizani laci

 

Laçi 7.5 – Askush nuk e priste që Laçi, skuadër e cila bazohet te lojtarët e rinj, të fitonte në kryeqytet. Por, kurbinasit e trajnerit Nica ia dolën të bënin gjithçka mirë dhe të shënonin dy herë në portën e kuqve, pas një loje të kujdesshme. Me këtë trepikësh, bardhezinjtë kryesojnë Kategorinë Superiore.

Skënderbeu 7 – Korçarët nuk shpenzuan shumë energji në përballjen ndaj Flamurtarit dhe arritën të fitonin më shumë me eksperiencë ndaj vlonjatëve. Korçarët konfirmuan se edhe kur nuk janë në ditën e tyre më të mirë, mund të arrijnë të sigurojnë trepikëshin.

vllaznia1

Vllaznia 7 – Shkodranët morën një fitore me shumë vlera sidomos në aspektin moral ndaj Lushnjës në stadiumin “Loni Papuçiu”. Kuqeblutë kontrolluan takimin dhe lëshuan një sinjal për të gjithë kundërshtarët se do të jenë një skuadër konkurruese në këtë sezon futbollistik.

Teuta 6.5 – Durrsakët triumfuan me vështirësi në shtëpi me Luftëtarin. Megjithatë ekipi i Maganit siguroi tri pikë dhe nisi mbarë sezonin. Bregdetarët ishin në formë të mirë dhe pritet që këtë kampionat të jenë në garë për vendet e para të klasifikimit.

Kukësi 5.5 – Me një lojë shumë larg asaj të një sezoni më parë, Kukësi bëri thjesht detyrën në sfidën ndaj Kamzës, që e vuri jo pak në vështirësi skuadrën e Milinkoviç. Megjithatë verilindorët arritën objektivin dhe tani shohin përpara, për ndeshjen e radhës në kampionat.

kukesi kamza plaku hallaci kridens meta

Kamza 5 – Të humbasësh ndaj Kukësit në transfertë nuk është dramë. Por, Kamza në fushë tregoi se nuk do të jetë një ekip kalimtar në Superiore. Të besuarit e trajnerit Ndreu vunë jo pak në vështirësi kampionët e Superiores dhe mund të kishin dalë edhe me një barazim nga fusha e blertë.

Luftëtari 4 – Gjirokastritët ishin larg skuadrës së sezonit të kaluar. Humbja ndaj Teutës dhe loja e zhvilluar konfirmoi një gjë të tillë. Gjithsesi në kampin bluzi vazhdojnë të kenë besim te grupi dhe se kthesa në rezultate do të vijë shpejt.

flamurtari bicaj

Flamurtari 4 – Blerjet e bujshme të merkatos dhe faza përgatitore në dy shtete të ndryshme duket se nuk u ka mjaftuar vlonjatëve që ta nisin me një rezultat pozitiv kampionatin. Ata kanë humbur ndaj Skënderbeut me një lojë jo shumë bindëse.

Lushnja 4 – Myzeqarët luanin në fushë asnjanëse ndeshjen e tyre të parë ndaj Vllaznisë. Megjithatë, me atë që tregoi në fushë skuadra e Banos në startin e Superiores, do ta ketë shumë të vështirë që të mbijetojë në Superiore sezonin e ri futbollistik.

Partizani 4 – Të kuqtë nuk justifikuan asgjë nga investimi që është bërë gjatë merkatos. Humbja ndaj Laçit i zhgënjeu të gjithë në kampin e kuq, ndërkohë që në skuadër ka edhe probleme të brendshme, të cilat u bënë publike nga vetë trajneri Iuliano.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"