Notat e Superiores / Java e barazimeve nuk ka “ngelës”, por një skuadër ka kaluar parashikimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2021 | 20:56

Notat e Superiores / Java e barazimeve nuk ka “ngelës”, por një skuadër ka kaluar parashikimet

Kategoria Superiore ka kaluar një javë të pazakontë me të gjitha ndeshjet që u mbyllën në barazime. Ndaj në një situatë të tillë ekuilibri është e vështirë të gjykohet cila skuadër ka qenë më mirë se të tjerat, Por një ekip ka kaluar parashikimet që ishin bërë për të në këto javë të para, me një barazim që duket si fitore.

kastrioti

KASTRIOTI 6- Krutanët e trajnerit Ramazan Ndreu meritojë përgëzime, pasi dihen peripecitë që kanë kaluar, si dhe kur u ndërtuan si ekip. Kastrioti tregoi grintë dhe karakter ndaj Tiranës, ku arritën të marrin edhe një pikë me vlera ndaj bardhebluve. Krutanët dhanë sinjale se mund të kthehen te paraqitjet e mira të sezonit të shkuar.

LAÇI 5.5- Kurbinasit vazhdojnë të mos e gjejnë fitoren e parë sezonale, pasi edhe në javën e tretë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim. Nga rrjedha që mori ndeshja me Kukësin, kurbinasit edhe mund të humbisnin, por në këtë rast mendoi Zarubica që me dy golat e tij shpëtoi Laçin nga humbja, por edhe trajnerin Vukiçeviç.

KUKËSI 5.5- Verilindorët shpërdoruan një mundësi të artë për të thelluar distancën me ndjekësit, pasi nga avantazhi 2-0, Kukësi ia lejoi vetes të marrë dy gola nga Laçi. Ekipi i Longos ka treguar se ka kapacitet dhe bënë një lojë atraktive, por mbase mungesat në mbrojtje bënë që ekipi ta pësojë frenimin e parë në kampionatin që e kryesojnë.

Festa e Kukesit

PARTIZANI 5- Të kuqtë e kryeqytetit pas 270 minutave të para ende nuk e dinë se ku janë dhe çfarë kërkojnë. Një humbje dhe 2 barazime në start nuk janë tregues për një ekip që synon titullin. Partizani i trajnerit Daja mbetet në pritje të fitores së parë dhe ndryshimit të kursit, ku përmirësimi kërkohet në çdo repart.

EGNATIA 5- Rrogozhinasit e trajnerit Magani mbeten sërish në pritje për të marrë fitoren e parë në Superiore. Egnatia barazoi në shtëpi ndaj Skënderbeut, pika e dytë radhazi, tregues i cili ngroh për të ardhmen e ekipit, pasi të besuarit e Maganit zhvillojnë lojë, por kësaj radhe e kanë me gjykimin.

SKËNDERBEU 5- Korçarët zhvilluan një tjetër ndeshje pozitive, ku në transfertën e Rrogozhinës barazuan në shifrat 1-1. Skënderbeu tregoi se di të reagojë edhe pas ndëshkimit. Ekipi ka disa pika të spikatura në përbërje, siç është sulmuesi Berisha apo portieri Rexhepi.

DINAMO 5- “Nëndetësja” ka ngecur në dy javët e fundit, pasi të besuarit e trajnerit Shkëmbi morën barazimin e dytë radhazi. Gjithsesi, një pikë në transfertë me kampionët në fuqi merr vlerë për Dinamon, një ekip i krijuar nga e para dhe i kthyer në elitë pas 9 sezonesh.

dinamo teuta

TEUTA 5- Kampionët në fuqi kanë marrë barazimin e dytë radhazi, ku ndonëse ishin pritës, në fushën e Rrogozhinës morën vetëm një pikë ndaj Dinamos. Ecuria e fundit duket si fotokopje e startit të sezonit të shkuar, që u shpallën kampion në fund.

TIRANA 5- Bardheblutë kanë bërë një tjetër paraqitje jo të mirë, ku ndaj Kastriotit janë mjaftuar me një pikë. Tirana krijon raste, por shpërdoron, si dhe ka mangësi në fazën mbrojtëse. Me këtë ecuri nuk mund të shkohet gjatë, gjë e cila vë në dyshim edhe balancat në ekip.

VLLAZNIA 5- Shkodranët sërish nuk arritën ta ruajnë fitoren. Tjetër trepikësh i ikur nga dora për Vllazninë, e cila ndaj Partizanit kaloi e para në avantazh, që në start, por pak para vërshëllimës përfundimtare ndëshkohet. Ekipi i Brdariçit ka humbur besimin te vetvetja, ku vjet ndëshkonte në fund, tani e pëson.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"