Notat e Superiores / Ja si janë vlerësuar skuadrat për paraqitjet e kësaj jave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 23:31

Notat e Superiores / Ja si janë vlerësuar skuadrat për paraqitjet e kësaj jave

Ndeshjet e javës së 16 të Kategorisë Superiore kanë dhuruar rezultate interesante dhe kanë treguar se si vijnë skuadrat në këtë pjesë të dytë të edicionit pas pushimeve. Panorama Sport ju sjell në vijim notat me të cilat ka vlerësuar ekipet për paraqitjet e tyre në këtë javë dhe sigurisht që nuk mungojnë surprizat.

Kategoria Superiore Topi

KASTRIOTI 8- Krutanëve u kanë dalë për “hajër” ndryshimet. Me ardhjen në krye të stolit të ish-kapitenit Emiljano Çela, ekipi ka marrë një fitore me peshë ndaj kampionëve. Kastrioti ka shpresë, por mbetet për të parë se si do të sillet ekipi në vijim, duke nisur nga Partizani.

DINAMO 8- Dinamovitët e kanë nisur në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e dytë të kampionatit. Ndryshimet në staf dhe në fushë kanë dhënë efekt të menjëhershëm, pasi e treguan veten ndaj Kukësit, që konsiderohej si një nga ekipet më të mira të Superiores. Tani te Dinamo kërkohet vazhdimësia dhe derbi me Tiranën është prova e radhës.

PARTIZANI 7.5- Dritan Mehmeti ka debutuar me fitore në krye të pankinës dhe ndryshimi në stol ka dhënë efekt të menjëhershëm te Partizani. 3 gola në një ndeshje kampionati të kuqtë nuk i kishin shënuar asnjëherë këtë sezon dhe trepikëshi me Egnatian shpresohet që të mos mbetet imazh, për vetë faktin se hallkat e klubit ende vijojnë “të ziejnë”.

VLLAZNIA 5.5- Shkodranët kanë zhvilluar një ndeshje mbresëlënëse ndaj Tiranës, duke e dominuar kundërshtarin, por gjithë mundi u shpërblye me një pikë, kjo edhe për shkak se sulmuesit nuk ditën që ta gjejnë rrugën e rrjetës. Nëse Vllaznia kolaudon shënjestrën, atëherë tri ekipet sipër saj në renditje janë në rrezik.

SKËNDERBEU 5.5- Korçarët kanë marrë një pikë në ndeshjen e parë për këtë vit. Skënderbeu pretendonte më shumë, por edhe një pikë vlen për “ujqërit e dëborës” për vetë situatën ku ndodhen dhe kundërshtarin që kishin përballë. Çdo pikë quhet “e artë” për korçarët.

LAÇI 5 – Kurbinasit nuk ia kanë dalë që ta vazhdojnë serinë e fitoreve, pasi 2022-shi ka nisur me një barazim pa gola për Laçin në Korçë. Mbase në këtë ndalesë ka ndikuar edhe mungesa e 4 titullarëve, për shkak të virozave. Trajneri Josa u detyrua të luaj me një mbrojtje eksperimentale, por kanë pasur edhe fatin me vete në këtë takim.

TIRANA 5- Bradheblutë marrin notë kaluese vetëm për faktin se nuk u mundën, pasi ndaj Vllaznisë kanë dhuruar një nga ndeshjet më të dobëta në këtë sezon. Tirana s’kreu asnjë gjuajtje në portën shkodrane, por fati ka qenë me kryesuesit, pasi rivalët me ndalesat i kanë dhanë mundësi që të thellojnë kryesimin me një pikë, në +6.

KUKËSI 4- Verilindorët me sa duket më shumë e kanë pasur mendjen te spiunazhi i dinamovitëve sesa te reagimi në fushë dhe për të përfituar nga frenimi i Tiranës. Kukësi ka dalë kokulur ndaj Dinamos, duke nxjerrë sërish në pah luhatjet si dhe diferencat me vendin e parë.

TEUTA 4- Më keq se kaq nuk ka ku të shkojë për Teutën, që në dy sfidat me skuadrat e fundit të tabelës ka dalë e mundur. Teuta duhet të reagojë menjëherë në mënyrë që të mos përballet me ndonjë të papritur të hidhur në vazhdim, pasi janë afruar me zonën e ftohtë.

EGNATIA 4- Fitorja e fundvitit me Teutën mbeti thjesht imazh për Egnatian, e cila në fushën e saj u mund nga Partizani. Rrogozhinasit rrezikojnë shumë me këtë ecuri dhe nëse lëvizjet e merkatos nuk japin efekt, i bie që të jenë kandidatët kryesor për të rënë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"