Notat e skuadrave/ Skënderbeu, Laçi e Kamza më të mirat. 4 ekipe nuk kalojnë klasën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 18:34

Notat e skuadrave/ Skënderbeu, Laçi e Kamza më të mirat. 4 ekipe nuk kalojnë klasën

Vlerësim i “Panorama Sport”. Java e 13-të e Kategorisë Superiore

 

Skënderbeu 7.5 – Pavarësisht mungesave, korçarët konfirmuan edhe njëherë tjetër forcën e tyre në ndeshjen ndaj Kukësit. Përveçse tri pikë të siguruara, skuadra e Dajës mposhti një rival direkt në garën për titull dhe e çoi në tetë pikë diferencën me vendin e dytë.

Skenderbeu festa

Laçi 7.5 – Të fitosh ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, nuk është asnjëherë e lehtë, sidomos me përmbysje. Por kurbinasit, edhe pse në disavantazh, arritën të kthejnë gjithçka në favor të tyre, duke siguruar një trepikësh që i konsolidon edhe më shumë pozitat në tabelën e renditjes.

Kamza 7.5 – Skuadra e drejtuar nga trajneri Ndreu ka konfirmuar edhe njëherë tjetër formën e mirë që po kalon në këtë sezon futbollistik. Fitorja jashtë fushe ndaj Teutës u ka dhënë kryeqytetasve vendin e dytë në tabelën e klasifikimit.

Partizani 7 – Të kuqtë nuk kanë bërë asgjë më shumë veçse detyrën në transfertë ndaj Lushnjës, ekipi që mbyll tabelën e klasifikimit. Tre gola të shënuar në pjesën e dytë mbyllën llogaritë në një ndeshje, e cila edhe në letër konsiderohej e lehtë.

Luftëtari 5.5 – Bluzinjtë kanë bërë një ndeshje mjaft të mirë në shtëpi dhe barazimi ndaj vlonjatëve mund të konsiderohet si pikë kthese në garën për mbijetesë. Ekipi i Likës, edhe pse është ndëshkuar, ka gjetur forcën për të barazuar, ndërsa rastet për shënim kanë qenë të shumta.

Flamurtari 5.5 – Vlonjatët nuk kanë mundur të shkojnë më shumë se një barazim në transfertë ndaj Luftëtarit në një ndeshje ku, edhe pse kanë shënuar të parët, nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për të marrë maksimumin.

Kukesi vs Skenderbeu

Kukësi 4 – Kampionët në fuqi nuk shfrytëzuan siç duhet një rast të artë për t’iu afruar me tri pikë kreut të renditjes, ndërkohë që i janë larguar nëntë pikë pas humbjes me Skënderbeun. Ekipi i Milinkoviç nuk tregoi grintën e nevojshme për të triumfuar në një ndeshje të tillë.

Teuta 4 – Durrsakët vazhdojnë të vuajnë dhe të mbeten në katër skuadrat e fundit të tabelës së klasifikimit. Humbja ndaj Kamzës tregoi se ekipi i Maganit ka luhatje të shumta dhe ende nuk e ka gjetur ekuilibrin që i duhet në Kategorinë Superiore.

Lushnja 4 – Myzeqarët vazhdojnë të zhyten në tabelën e renditjes dhe javë pas jave pakësojnë shanset e tyre për të mbijetuar në Kategorinë Superiore. Trajneri Dedja duket i pafuqishëm për të ndryshuar diçka në këtë ekip.

Vllaznia 4 – Kuqeblutë nuk e shfrytëzuan dot faktorin fushë përballë Laçit dhe as faktin që shënuan të parët. Humbja me kurbinasit i mban ata në zonën e rrezikut, ndërkohë që javën e ardhshme do të kenë një transfertë mjaft të vështirë ndaj Flamurtarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"