Notat e skuadrave/ Rikthimi i frikshëm i Partizanit, Vllaznia dhe Kukësi ngelin në klasë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2017 | 21:34

Notat e skuadrave/ Rikthimi i frikshëm i Partizanit, Vllaznia dhe Kukësi ngelin në klasë

Vlerësim i “Panorama Sport”

Partizani 7.5 – Të kuqtë janë rikthyer te fitorja në transfertën e vështirë ndaj Kukësit. Edhe pse janë gjendur në disavantazh, ata kanë mundur të kthejnë rezultatin në favor të tyre, duke marrë një trepikësh me shumë vlera për pozicionin në renditje, si dhe në aspektin psikologjik të futbollistëve.

Partizani

Kamza 7 – Skuadra e Ndreut tregoi edhe një herë tjetër se nuk është ngjitur rastësisht në Superiore dhe se e mban me meritë vendin e katërt në klasifikim. Barazimi ndaj Skënderbeut, ekipi më në formë i kampionatit, konfirmoi forcën reale të ekipit kryeqytetas.

Flamurtari 6.5 – Vlonjatët marrin një fitore të vështirë në stadiumin “Roza Haxhiu” përballë Lushnjës. Flamurtari ka zhvilluar një lojë të mirë në këtë ndeshje, duke ruajtur ecurinë e javëve të fundit si në paraqitje, ashtu edhe në rezultate.

Teuta 6.5 – Edhe pse shënuan vetëm një gol, durrsakët nuk e vunë në diskutim në asnjë moment fitoren në ndeshjen ndaj Vllaznisë në shtëpi. Ata menaxhuan për më shumë se 75 minuta rezultatin, duke mos u dhënë asnjë mundësi shkodranëve që t’i rrezikonin.

Laçi 6.5 – Kurbinasit kanë vazhduar ecurinë e rezultateve pozitive edhe në stadiumin e vështirë të Gjirokastrës. Kurbinasit arritën të barazojnë në fundin e takimit, duke siguruar një pikë me shumë vlera që “blindon” edhe më shumë pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit.

Skënderbeu 5 – Korçarët nuk kanë shkuar më shumë se një barazim në shtëpi në një ndeshje, e cila në letër dukej e fituar. Por, pavarësisht këtij rezultati, skuadra e Dajës vazhdon të jetë në krye të tabelës së klasifikimit, me një distancë prej shtatë pikësh nga ndjekësi më i afërt.

skenderbeu kamza

Luftëtari 5 – Bluzinjtë kanë zhgënjyer në shtëpi, duke marrë një barazim pa shumë vlera për pozitat e tyre në tabelën e klasifikimit ndaj Laçit, në një ndeshje ku nga skuadra e Likës kërkohej me çdo kusht fitorja, pas humbjes së një jave më parë. Aktualisht bluzinjtë janë tre pikë larg zonës së ftohtë.

Kukësi 4 – Kampionët nuk arritën të marrin një rezultat pozitiv në shtëpi ndaj Partizanit, edhe pse kaluan të parët në avantazh. Ata u ndëshkuan me dy gola dhe, pas këtij rezultati, mbajnë vendin e tretë në tabelën e klasifikimit.

Kukesi

Vllaznia 4 – Kuqeblutë kanë prekur fundin në kampionat. Ndaj Teutës në transfertë është parë një skuadër pa grintë dhe pa dëshirë për të fituar. Edhe ato pak raste që u janë dhënë për shënim, shkodranët nuk i kanë shfrytëzuar siç duhet.

Lushnja 4 – Skuadra e drejtuar nga trajneri Dedja vazhdon të vuajë edhe në ndeshjet shtëpiake. Edhe pse ka bërë një lojë të mirë ndaj Flamurtarit dhe ishte pranë marrjes së një pike, një gol i shënuar në fundin e ndeshjes ka zhytur edhe më shumë myzeqarët në fundin e tabelës së klasifikimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"