Partizani i pamposhtur, Tirana gjysmë note për… tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2016 | 18:51

Partizani i pamposhtur, Tirana gjysmë note për… tifozët

Vlerësimi i skuadrave në kuadër të javës së 24-t të Kategorisë Superiore bazuar në paraqitjen e tyre në ndeshjet e zhvilluara.

Partizani vlerësohet me notën më të lartë për fitoren në derbi (2-0) ndaj Tiranës, ndërsa bardheblutë vlerësohen vetëm për mbështetjen që i dhanë tifozët në shkallët e stadiumin “Qemal Stafa”. Dy skuadrat e tjerë më të vlerësuara për javën që lamë pas janë Kukësi dhe Tërbuni.


partizani tirana
Partizani 8 – Tetë si tetë ndeshjet në të cilat është i pamposhtur në derbi. Të kuqtë dominuan supersfidën me rivalin historik në të gjitha drejtimet dhe e mbyllën atë pa filluar mirë. Jo vetëm kaq, por vunë në presion Skënderbeun, qoftë edhe vetëm për 24 orë.

Kukësi 7.5 – Pëson shpejt një eurogol nga Vrapi, por gjen të gjitha forcat dhe kthen rezultatin në një fushë që Vllaznia e ka bërë thuajse “ferr” për të gjithë kundërshtarët. Tregues force dhe karakteri.

Tërbuni 7.5 – U quajt si një nga ekipet që kishte prerë biletën për në Kategorinë e Parë, por në fakt javë pas jave është duke luftuar fort dhe pas barazimit me Partizanin në shtëpi bën të njëjtën gjë edhe në… Vlorë. Qëndrueshmëria dhe rezistenca konstante, po e rifusin javë pas jave mes ekipeve që po bëjnë maksimumin për të qëndruar në elitë.

Skënderbeu 7- Nuk ka më ndeshje të lehta dhe të vështira, por kjo transfertë është dukur shumë e lehtë për kampionët në fuqi. Organika që kanë në dispozicion, e kanë bërë Laçin të duket si skuadër e dorës së dytë, edhe pse luhej në fushën e kurbinasve. Ruajnë distancën me Partizanin.

Teuta 6.5 – Në fund të fundit merr tri pikë dhe rikthehet në vendin e tretë. Një gjysmë note më pak për vuajtjet që pëson, pasi duhet të kishte treguar cinizëm dhe saktësi që në fraksionin e parë të lojës. Megjithatë, llogaritë e objektivave e bëjnë të jetë skuadra “perfekte”.

Flamurtari 4.5– Barazoi një nga sfidat direkte për mbijetesë në shtëpi dhe kjo nuk është aspak pozitive. Megjithatë, një gjysmë note për përpjekjet dhe tentativën që bëri për të marrë maksimumin. Është në pozita kritike.

Bylisi 4 – Reziston sa mundet me Teutën, por një goditje standarde e përsëritur disa herë gjatë lojës i heq mundësinë e një pike në Durrës. Ekipi po tregon grintë dhe dëshirë për të qëndruar në Superiore, ama në fund vlejnë… pikët.

Laçi 4 – Nëse një javë më parë renditej te skuadrat që kërkonin Europën, tashmë në tabelë e klasifikimit ndodhet në ekipet që duhet të shmangin fundin. Është në krizë rezultatesh dhe, për fat të keq, duket sikur vjen nga ajo e lojës. Në fund të fundit, përballë kishte kampionët në fuqi…

Vllaznia 4 – Gjysmë note më pak, për faktin që kaloi e para në avantazh dhe nuk e ruajti. Mirëpo, forcat dhe dëshira janë gjëra të ndryshme në futboll. Është shumë e rrezikuar për objektivin mbijetesë, por më së paku në fushë ka lojtarë që e duan ekipin dhe japin maksimumin që kanë…

Tirana 3.5 – Një gjysmë note më shumë për… tifozët. Me gjithë turpërimin e skuadrës për të tetën herë radhazi në fushën e lojës, kënduan dhe dhuruan atmosferë siç kanë bërë gjithmonë. Skuadra është gjithmonë e më e shpërfytyruar në derbi. Humb edhe vendin e tretë me këtë disfatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"