Notat e skuadrave/ Lushnja dhe Laçi, surprizat e bukura të javës. Kukësi i fundit i klasës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2017 | 21:12

Notat e skuadrave/ Lushnja dhe Laçi, surprizat e bukura të javës. Kukësi i fundit i klasës

Vlerësim i “Panorama Sport”. Java e 14-të e Kategorisë Superiore

 

 

Lushnja 7.5 – Askush nuk e kishte menduar se Lushnja do të arrinte të fitonte në Kukës, për më tepër që vendësve u duhej fitorja për të kaluar momentin e vështirë. Por, myzeqarët ia dolën, madje triumfuan duke shënuar tre gola në një nga fushat më të vështira të Superiores.

lushnja festa

Laçi 7.5 – Kurbinasit arritën të mposhtnin në shtëpi një prej ekipeve më të mira në vend si Skënderbeu. Edhe pse një skuadër që ka në përbërje futbollistë të rinj, laçianët kanë bindur ndaj korçarëve, duke shënuar një gol dhe më pas kanë mbrojtur rezultatin.

Laci-Skenderbeu

Luftëtari 7 – Pas një periudhe të vështirë, bluzinjtë janë rikthyer te fitorja në transfertë ndaj Kamzës, një ekip që është në vendet e para të klasifikimit. Ekipi i Likës ka siguruar trepikëshin pas një loje të mirë dhe një goli të shënuar në minutat e fundit.

Partizani 7 – Kryeqytetasit kanë arritur të sigurojnë fitoren në një terren shumë të rënduar në “Selman Stërmasi”. Megjithatë, skuadra e Starovës, edhe pse u gjend në disavantazh, arriti të kthente rezultatin në favor të saj, duke mos u dorëzuar deri në fund dhe shënuar në minutën e fundit shtesë.

Flamurtari 6.5 – Vlonjatët kanë bërë detyrën në shtëpi ndaj Vllaznisë në një përballje ku fitorja ishte detyrim. Një gol i shpejtë i dha qetësi ekipit të Duros. Me këtë trepikësh, Flamurtari mban vendin e dytë në renditje.

Skënderbeu 5 – Korçarët kanë hedhur një hap fals në tabelën e klasifikimit duke humbur një transfertë që, në letër, parashikohej e lehtë. Me këtë humbje, bardhekuqtë u kanë dhënë mundës rivalëve t’u afrohen në renditje, ku ndjekësi më i afërt është gjashtë pikë më pak.

Kamza 4.5 – Kryeqytetasit kanë ndalur serinë e rezultateve pozitive. Humbja ndaj Luftëtarit i ka zbritur një pozicion më poshtë në klasifikim. Megjithatë, ekipi i drejtuar nga Ndreu ka bërë paraqitje të mirë.

kukesi lushnja

Vllaznia 4 – Kuqeblutë kanë harruar të fitojnë dhe në transfertën vlonjate u panë të dorëzuar në fushë pa nisur ende ndeshja. Ekipit të drejtuar nga Gjoka i mungon grinta në fushë dhe e ka shumë të vështirë që të finalizojë rastet që i jepen për shënim.

Teuta 4 – Edhe pse ka qenë në avantazh të një goli, Teuta nuk ka mundur të dalë të paktën me një pikë nga transferta me Partizanin. Durrsakët janë ndëshkuar në minutat e fundit të shtesës pas një hutimi në mbrojtje.

Kukësi 4 – Kampionët në fuqi janë duke vuajtur në aspektin psikologjik dhe këtë e treguan edhe ndaj Lushnjës. Një skuadër që nuk bën dot asgjë mirë dhe vuan shumë presionin. Disfata me myzeqarët konfirmoi krizën e verilindorëve, të cilët tashmë kanë humbur terren në klasifikim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"