Notat e skuadrave/ Kukësi perfekt në çdo drejtim, shthuret Partizani. Luftëtari për Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2018 | 20:46

Notat e skuadrave/ Kukësi perfekt në çdo drejtim, shthuret Partizani. Luftëtari për Europë

Vlerësim i Panorama Sport

Kukësi 8.5 – Luante një duel direkt për vendin e dytë dhe shfrytëzoi në maksimum faktorin fushë. Kampionët në fuqi treguan dhëmbët në momentin e duhur, duke i shënuar katër gola një Partizani që vinte pas fitores së bujshme 0-3 në Laç. Ndeshje perfekte në të gjitha drejtimet, me një Sindrit Guri në superformë, teksa realizoi tri herë.

Kukesi

Teuta 7.5 – Ndeshje brilante në duelin e mbijetesës dhe mbi të gjitha konfirmim se jo më kot kishin marrë disa rezultate pozitive radhazi. Teuta i tregoi Vllaznisë se nuk mund të “fluturojë” përpara kohe, pasi diferencat në këtë kampionat janë shumë të vogla.

Luftëtari 7 – Ajo me Laçin ishte si finale për skuadrën e Likës sa i përket synimit për zonën europiane. Bluzinjtë u treguan kurbinasve se kanë më shumë kualitet dhe jo më kot në katër ndeshjet ndaj tyre nuk kanë humbur asnjëherë, duke marrë dy fitore dhe dy barazime.

Skënderbeu 7 – Lajmi i mirë nga KAS për titullin e sezonit 2015-2016 e kishte bërë me krahë ekipin korçar, por dy golat e shpejtë u zhvlerësuan që në pjesën e parë ndaj Kamzës. Skënderbeu tregoi limite në mbrojtje, duke u barazuar si kurrë më parë. Megjithatë, një skuadër e madhe di si të reagojë për të dalë me tri pikë dhe këtë e bënë korçarët gjatë pjesë së dytë.

Flamurtari 6.5 – “Nxjerrim nga kriza Flamurtarin”. Ishte kjo batuta ekipe e tifozëve lushnjarë para ndeshjes me vlonjatët. Nëntë ndeshje radhazi pa fitore dhe për më tepër e fundit datonte më 18 shkurt pikërisht ndaj Lushnjës, si për ironi, koicidoi që tri pikët të vinin sërish ndaj të njëjtit kundërshtar.

flamurtari

Kamza 6 – Ndeshje e madhe në Korçë, por kur pëson gola aq naivë, gjithçka shumëzohet me zero. Në debutimin e Julian Ahmatajt në pankinë, Kamza e bëri Skënderbeun të vuajë, mirëpo nuk diti të menaxhonte barazimin e pjesës së parë. Skuadra duket e goditur psikologjikisht dhe në momente të veçanta nuk ka as fatin me vete.

Laçi 5.5 – Tri humbje radhazi për ekipin e Mezanit. Në Gjirokastër u mundua t’i përgjigjej kundërshtarit me mënyrën e vetë, por e pësoi atëherë kur nuk e priste. Vuan shumë momentin jo të mirë të Rexhinaldos, që ndaj ishskuadrës së tij ishte hije e vetvetes.

Lushnja 5 – Luftoi më shumë se çdo ndeshje tjetër, por nuk mjaftoi. Tani pret mbylljen e garës, pasi humbjet janë bërë “institucion”.

Vllaznia 4 – Një ekip pa identitet në Durrës, me lojtarë që e kishin marrë lehtë ndeshjen, edhe pse ishte ndaj rivalit direkt për mbijetesë.

Partizani 4 – Momenti i mirë zgjati vetëm 5 javë. Pëson një “thes” me gola dhe shthuret. Madje, tregon edhe probleme karakteri në Kukës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"