Notat e skuadrave/ Kukësi më i miri i javës, Skënderbeu tregon forcë karakteri. Zhgënjen Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2018 | 22:24

Notat e skuadrave/ Kukësi më i miri i javës, Skënderbeu tregon forcë karakteri. Zhgënjen Partizani

Vlerësim i Panorama Sport

Kukësi 7.5 – Kukësi i drejtuar nga Pakult duket se i merr lehtë edhe ndeshjet më të vështira, madje edhe kur është në disavantazh. Kjo ndodhi edhe ndaj Partizanit, ku verilindorët, edhe pse e mbyllën në disavantazh të një goli pjesën e parë, arritën të shënonin tre në të dytën dhe të siguronin trepikëshin.

kukesiii

Skënderbeu 7 – Korçarët jo më kot janë cilësuar si skuadra më e mirë në vend, pasi arrijnë të fitojnë edhe kur nuk japim 100 përqindëshin e tyre. Kjo ndodhi edhe ndaj Kamzës, ku me pak impenjim pas një jave të ngarkuar për shkak të dënimit të mundshëm nga UEFA, ata kanë përmbysur disavantazhin e një goli duke triumfuar.

Vllaznia 7 – Shkodranët kanë lënë pas momentet e vështira dhe kanë gjetur rrugën e fitoreve, e bashkë me to kanë siguruar edhe pikët për t’iu shkëputur me katër pikë zonës së ftohtë. Ndaj Teutës, kuqeblutë nuk e vunë në asnjë moment në diskutim fitoren me dy gola të shënuar që në pjesën e parë.

Flamurtari 6.5 – Të fitosh ndaj Lushnjës në këtë sezon, sidomos në shtëpi, është një detyrë. Por, vlonjatët nuk e kanë pasur shumë të lehtë, ku pas një pjesë të parë pa gola kanë gjetur dy herë rrugën e rrjetës në të dytën dhe kanë arritur objektivin.

Luftëtari 5.5 – Të fitosh në Laç nuk është asnjëherë e lehtë, pasi vendësit janë një skuadër e fortë. Por, Luftëtari nuk është trembur aspak, madje ka arritur të jetë në avantazh të dy golave, por më pas është barazuar nga vendësit. Gjithsesi barazimi në këtë transfertë është i pranueshëm për bluzinjtë.

Laçi 5 – Kurbinasit nuk e kanë shfrytëzuar faktorin fushë në ndeshjen ndaj Luftëtarit. Megjithatë, për mënyrën sesi shkoi takimi, një pikë mund të konsiderohet pozitive, pasi bardhezinjtë kanë gjetur forca për të barazuar, edhe pse ishin me 10 futbollistë që në minutën e 14-të.

kamza fukui plaku

Kamza 4 – Humbja ndaj Skënderbeut nuk quhet asnjëherë dramë, sidomos për Kamzën. Por, duke qenë në avantazh të një goli, ndoshta një barazim do të ishte rezultati më i drejtë për ekipin e Ndreut, që vazhdon të ketë një pozicion komod në tabelën e klasifikimit.

Teuta 4 – Durrsakët janë në rënie të lirë javët e fundit, pasi nuk arritën të dilnin me pikë edhe nga transferta me Vllazninë, një skuadër rivale në garën për sulmuesit. Aktualisht, bregdetarët e shohin veten në zonën e ftohtë dhe me një diferencë prej katër pikësh nga vendi i tetë.

Lushnja 4 – Edhe pse bënë një lojë relativisht të mirë në transfertën vlonjate, sidomos në pjesën e parë, myzeqarët pë- suan një tjetër humbje dhe tashmë duken tërësisht të dorëzuar dhe shpresat për mbijetesë janë të shuara përfundimisht.

Partizani 4 – Të mbyllësh pjesën e parë në avantazh dhe më pas të pësosh dy gola për katër minuta, duke mos menaxhuar dot situatën, nuk është normale për një skuadër si Partizani, që humbi ndaj Kukësit në shtëpi, duke iu larguar me shtatë pikë vendit të dytë në klasifikim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"