NOTAT E SKUADRAVE/ Kamza i befason të gjithë, zhgënjejnë Tirana e Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2018 | 21:03

NOTAT E SKUADRAVE/ Kamza i befason të gjithë, zhgënjejnë Tirana e Partizani

Vlerësim i Panorama Sport

tirana kamzaa

Kamza 8 – E nisi kampionatin me 13 lojtarë të larguar dhe 17 të afruar. Për më tepër, filloi fazën përgatitore më vonë se të gjitha ekipet, por në fushë tregoi atë grintë që trajneri Bledar Devolli e ka pasur si lojtar, madje është nga ata që ka dalë për herë të fundit kampion me Tiranën. Një Kamzë që i përgjigjet trajnerit dhe fiton.

Kastrioti 8 – Është ndoshta skuadra më e paragjykuar e Superiores, pasi vjen nga Kategoria e Parë, por me atë që tregoi në Gjirokastër, konfirmoi se diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla mes ekipeve. Skuadra e Plorit bllokoi Luftëtarin, duke dalë me tri pikë të merituara nga kjo transfertë.

Skënderbeu 7.5 – Sezoni ndryshon, por jo mentaliteti. Ky është Skënderbeu! Të bësh aq shumë ndryshime, të dënohesh me 10 vite nga UEFA dhe më pas të gjesh forca për të rilindur, madje të mundësh Partizanin që në start, janë shenja të qarta se në Korçë mbi të gjitha është grupi i lojtarëve që bën diferencën.

Laçi 6.5 – Të jesh 1-0 në disavantazh me Kukësin dhe të barazosh më pas, për më tepër kur ke shumë pak alternativa për sulmin, i konfirmon kurbinasit një kockë e fortë, atëherë edhe kur duken më të kalueshëm se kurrë në letër. Skuadra e Artan Mërgjyshit tregoi karakter ndaj një Kukësi, që mund ta kishte mbyllur ndeshjen shumë shpejt.

Teuta 6 – Një Teutë e bukur, ashtu siç dëshiron Shkëmbi në konceptin e lojës, por që nuk di të shënojë. Mirëpo, ka gjetur balancat, pasi në portë dhe mbrojtje ka marrë ekspertë. Hidi, Osmani dhe Bicaj i kanë dhënë shumë siguri. Ndaj Flamurtarit mund të kishte fituar, por shpërdoroi.

Flamurtari 6 – Pritshmëritë ishin të mëdha, nisur nga goditjet në merkato dhe me Ilir Dajën në stol. Mirëpo, nisja vonë e përgatitjeve konfirmoi se Flamurtari ende nuk është lidhur nuk është atje ku kërkon trajneri. Megjithatë, sinjalet ishin pozitive, pasi lojtarë si Torasa dhe Batha treguan se janë përshtatur shpejt me grupin.

Kukësi 5.5 – Shënoi i pari, dominoi lojën, por në fund vetëm një pikë. Sulmuesit e Kukësit shpërdoruan pa fund ndaj Laçit dhe nëse nuk shënon, atëherë do të pësojë. Ky ligj i pashkruar i futbollit u vu në zbatim dhe verilindorët treguan se nuk janë ende ekip i frikshëm.

Partizani 4.5 – Një ekip i mefshtë që dukej sikur ishte futur në fushë për të mbajtur një pikë. Në fund humbi prej një episodi, duke treguar shumë pak për atë që është projektuar këtë sezon: titullin kampion.

Tirana 4 – Shumë zhurmë për asgjë. Një skuadër pa busull, që jo vetëm nuk di të shënojë, por tregon limite edhe në mbrojtje. Presioni i madh në klubin bardheblu zor se do të pranojë të tjera rezultate negative.

Luftëtari 4 – Luajti vetëm në pjesën e parë ndaj Kastriotit, ndërsa më pas ishte hije e vetvetes, teksa të jepte përshtypjen se lojtarët ishin futur me zor në fushë. Gafa në mbrojtje dhe zhgënjim nga ata që janë afruar në verë. Drejtuesit e merkatos tashmë janë nën “akuzë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"