NOTAT E SKUADRAVE, JAVA 2/ Shkëlqejnë Skënderbeu e Flamurtari, Kukësi dhe Luftëtari pa “busull”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 21:31

NOTAT E SKUADRAVE, JAVA 2/ Shkëlqejnë Skënderbeu e Flamurtari, Kukësi dhe Luftëtari pa “busull”

VLERËSIM I PANORAMA SPORT

Skënderbeu 8 – Dy fitore radhazi në start e katapultojnë skuadrën korçare në komandë. Të besuarit e Orges Shehit ia dolën që të fitojnë lehtësisht ndaj Kastriotit, duke treguar vazhdimësi dhe duke u renditur në krye si e vetmja skuadër me pikë të plota.

skenderbeu

Flamurtari 7 – Përballë kishte Kukësin dhe një terren tejet të vështirë në stadiumin e vet, e megjithatë Flamurtari ia doli që të fitojë dhe të marrë tri pikë të arta. Nën drejtimin e Ilir Dajës, vlonjatët kanë nisur vrullshëm këtë vit dhe në ditët e fundit, pretendojnë ende për të tjera afrime.

Partizani 7 – Ndeshje me disa episode, por Partizani ia del që të marrë maksimumin. Edhe pse e zgjidhur nga një perlë e Telushit, të kuqtë kishin në dispozicion edhe një super-Alban Hoxha, që ia doli të presë një penallti ndaj Plakut. Shumë ndryshime dhe nevojë për kolaudim, por Partizani po jep sinjale pozitive në start.

Laçi 7 – Pësoi gol, por në fund doli me tri pikë. Skuadra e Laçit, përveç të gjitha cilësive si skuadër, ka edhe një që rrallë ekipe e zotërojnë: Besimin deri në minutën e fundit. Një filozofi që shpesh shpërblen dhe këtë herë bëri që Luftëtari të përmbysej me gola të dy mbrojtësve. Forca për të reaguar pas golit të bluzinjve e nxori ballëlart ndaj tyre…

Teuta 6 – Do të flitej për tjetër notë në rast se Latif do të ishte treguar i saktë përballë portës së boshatisur. Teuta e Shkëmbit krijon raste, tregon kujdes dhe mbrojtje hermetike në kryeqytet, duke hedhur kandidaturën për një vend në zonën europiane.

Tirana 5.5 – Mungon një sulmues dhe qartësisht kjo vërehet nga mungesa e golit në dy takime. Raste për shënim, por manovra sulmuese nuk finalizohet shpesh edhe për mungesë fati. Megjithatë, barazimin pa gola e shpëton vetëm fakti që u zhvillua një ndeshje voluminoze për sa u takon rasteve.

Kamza 4.5 – Ndeshje pozitive, por në fund pa pikë. Një episod personal i Plakut mund të çonte takimin në një tjetër rrjedhë, por Kamza në start i gëzohet vetëm triumfit në njërin prej derbeve. Gjysmë note shkon pikërisht për lojën, rasteve dhe faktit që Plaku mund ta nxirrte me pikë ndaj të kuqve.

Kukësi 4 – Luante përballë dy kundërshtarëve, Flamurtarit dhe fushës. Këtë të fundit e mposhti, por jo vlonjatët. E për këtë, i mungoi pikërisht Alla, personi që shënoi golin vendimtar të ndeshjes. Shumë ndryshime, por mbi të gjitha, shumë paqartësi dhe mos qetësi në kampin e verilindorëve që ndikojnë sadopak.

Kastrioti 4- Fitorja ndaj Luftëtarit u zhbë që në start ndaj Skënderbeut. Pavarësisht forcës së korçarëve, gabimet e shumta nuk janë të justifikueshme. Për skuadrën krutane, prania e tifozërisë nuk duhet të jetë më një tension dhe presion, por përkundrazi, armë e shtuar për t’u përballur me më shumë dinjitet ndaj skuadrave rivale.

Luftëtari 4 – Të shënosh i pari në Laç dhe të dalësh pa pikë, është diçka që kërkon një analizë të hollësishme. Luftëtari pati shumë raste, të cilat duhet të ishin shoqëruar me qetësinë e nevojshme për t’i finalizuar me sukses. Në fund, justifikimi për stolin mund të mos mjaftojë për bluzinjtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"