Notat e sezonit/ Me 11 “luanë” në fushë, ja si e fitoi Bajerni kampionatin e 30-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 16:05

Notat e sezonit/ Me 11 “luanë” në fushë, ja si e fitoi Bajerni kampionatin e 30-të

Bajerni i Mynihut bëri nga sezonet e tij më të mira në Bundesligë. Kampionët fituan kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë në një hark kohor prej 1 muaji. Rekord pas rekordi, bavarezët bënë edhe më mirë se sezoni 2012-’13 kur fituan tripletën. Cili ishte formacioni fitues dhe cilët ishin lojtarët që kontribuuan për këtë sezon jubilar?

Bajern festa

MANUEL NOJER 7 – Kapiteni dhe portieri bavarez ishte në dilemë nëse do ta vazhdonte karrierën e tij në Mynih, por në fund ai zgjodhi të përfaqësojë edhe për dy sezone të tjera klubin më të titulluar në Gjermani. Me 33 ndeshje të luajtura (2970 minuta) Nojer pësoi vetëm 31 gola në kampionat. Ai është dhe do të mbetet numri 1 te Bajerni.

ALFONSO DEJVIS 7.5 – Kanadezi ishte një surprizë për të gjithë opinionin publik. Flik i besoi krahun e majtë menjëherë sapo Zyle u dëmtua. Ai luajti një sezon fantastik, sikur ishte në Mynih prej më shumë se 10 vitesh. Çfarë klasi!

DAVID ALABA 8 – Është një nga lojtarët e paktë që Hansi Flik kërkon që ta mbajë me patjetër në skuadër. Anësori i majtë tregoi se di të bëjë shumë mirë edhe rolin e qendërmbrojtësit. Ishte pa dyshim një nga sezonet më të mira të tij me fanellën e Bajernit. Eksperienca, disiplina dhe klasi nuk munguan në asnjë ndeshje vendimtare.

ZHEROM BOATENG 7 – I konsideruar si një lojtar “i mbaruar”, ish-kampioni i botës me Gjermaninë u ringjall me ardhjen e Hansi Flikut në krye të skuadrës. Pozicional dhe në sinkron me Alaban, ky i fundit ishte edhe një nga arsyet përse Zherom ruajti një formë konstante sidomos në fazën e dytë duke treguar se mund të luajë ende në nivele të larta.

BENZHAMË PAVAR 7 – Francezi nuk ishte asnjëherë për notën 10, por edhe për atë 5. Gjithmonë konstant dhe i disiplinuar, kampioni i botës nuk hynte në aventura të rrezikshme dhe ishte gjithmonë aty ku trajneri e donte. Një siguri absolute për skuadrën e Hansi Flikut.

ZHOSHUA KIMISH 8 – Një lider, edhe pse vetëm 24 vjeç. Nga Mateus te Rumenige, të gjithë janë në një mendje, Zhoshua do të jetë “fari” i skuadrës bavareze në vitet e ardhshme. Askush më shumë sa ai s’e ka prekur topin në kampionat. Askush nuk ka vrapuar më shumë se ai, një lojtar unik.

LEON GORECKA 7.5 – Në pjesën e parë të sezonit ishte në hije, por në të dytën pamë një Leon tjetër, në të gjitha kuptimet. Muskuloz, i shpejtë dhe goleador. Ai i bëri praktikisht të gjitha. Flik gjeti formulën e duhur me të dhe Kimish në mesin e fushës. Pjesa tjetër është histori.

TOMAS MYLER 7.5 – Është pa dyshim imazhi klubit bavarez. Besnik, i palodhur dhe gjithmonë vë skuadrën para vetes. Askush nuk mund të jetë më shumë i lidhur me këtë fanellë sesa Tomas. Kërcënoi me largim nëse nuk do të luante, në kohën kur skuadra drejtohej nga Kovaç. Me Flikun ai mori skuadrën për dore dhe u bë mbreti i asisteve (21).

SERGE GNABRI 7.5 – Nuk mund të gjendej një zëvendësues më i mirë për Arjen Robenin sesa Gnabri. I shpejtë, i zgjuar dhe golashënues. Serge i ka të gjitha cilësitë për të ecur në gjurmët e lavdishme të holandezit i cili bëri histori me Bajernin.

KINGSLEI KOMAN 7 – I pafat, pasi vuajti dëmtimin në startin e sezonit, por kur u rikthye ishte më i fortë. Kingslei ishte pa dyshim një nga motorët e skuadrës bavareze në këtë sezon duke dhënë kontribut të madh në fitimin e dopietës.

ROBERT LEVANDOVSKI 8.5 – Një makineri golash, Robert është pa dyshim shtylla kurrizore e skuadrës. Pa të shumë pak mund të ndodhë në fushë. I kudondodhur, polaku shënoi 34 gola në 34 javë. Vetëm 6 gola më pak se Gerd Myler në sezonin 1971. 51 gola sezonalë në të gjitha kompeticionet, me Champions-in ende për të luajtur sulmuesi është në rrugën e duhur për t’u bërë një legjendë.

HANSI FLIK 9 – Arkitekti i këtij Bajerni rekordesh, mund të themi me plot gojën që 55-vjeçari ishte arma më e fortë e klubit për të fituar titullin e tetë radhazi. Mori një skuadër larg zonës së titullit dhe e dërgoi falë punës së palodhshme aty ku i takon, në majën e futbollit gjerman.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"