Notat e një supersfide / Te Partizani “shkëlqen” më shumë stoli, por yjet janë Koliçi me Zeqirin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 17:59

Notat e një supersfide / Te Partizani “shkëlqen” më shumë stoli, por yjet janë Koliçi me Zeqirin

Nuk prodhoi gola, por supersfida e javës së dytë të Kategorisë Superiore mes Partizanit dhe Kukësit u dha mundësinë sportdashësve të shihnin nivelin e lojtarëve të të dy skuadrave. Në vijim janë notat që redaksia e “Panorama Sport” u ka vënë atyre që zbritën në fushën e lojës, pro edhe dy trajnerëve të cilët me lëvizjet e tyre, në një mënyrë apo një tjetër, ndikuan direkt te paraqitjet e futbollistëve…

partizani kukesi

PARTIZANI

Hoxha 6 – Një ndeshje ku pati shumë fat, edhe pse pak punë. Skuadra humbi topin rrezikshëm në gjysmëfushën e vet dhe Hoxha në rastet e Kalesë dhe Gurit u kap i papërgatitur, por jo për faj të tij.

Ibrahimi 4,5 – Gjysmë note më shumë, sepse Partizani nuk humbi. Gabime individuale në fazën mbrojtëse. Shtyn pak në krahun e tij dhe nuk kroson thuajse kurrë si duhet. I pasigurt. Ndoshta është më mirë të luajë në qendër.

Krasniqi 6 – I vendosur mirë dhe i ashpër me Alijevin. Lexon lojën si duhet dhe spastron zonën pa mëshirë sa herë që prapavija dridhet. Një nga më të mirët.

Atanda 6 – Vepron mirë me Bakajn që nuk është aspak klient komod. Ia del mirë ndaj shpejtësisë dhe dinakërisë së fantazistit të Kukësit dhe gradualisht e neutralizon atë.

Kotobelli 6 – E nis me luhatje ndeshjen, por përmirësohet gradualisht dhe e mbyll ndeshjen në sulm. Disa nga pasimet janë të mirë, por duhet ta përmirësojë shënjestrën.

kotobelli

Batha 6 – Lider në mesfushë. Jo prej shiritit që mban në krah, por prej dyluftimeve të vazhdueshme dhe pasimeve të qeta që jep. Koliçi i mohon golin me një pritje spektakolare. I domosdoshëm në mesfushë.

La Kamera 5 – Nën tonus. Vuan presingun e tmerrshëm që nis nga Bakaj dhe përfundon te Zeqiri. Shumë i shkëputur nga sulmi dhe kuptohet pak me Prognin dhe Kotobellin në krah.

Adorian 5 – I zbehtë dhe nuk jep kurrë asnjë shkëndijë. Përhumbet në mesin e fushës dhe nuk ndihmon thuajse asnjëherë në fazën sulmuese. Spostohet në krah me daljen e Prognit, por ndryshimi është i pamjaftueshëm.

Progni 5 – Luan në krahun e kundërt dhe praktikisht nuk lë asnjë shenjë në fushë. Ndihmohet pak nga mesfushorët qendrorë dhe ka vështirësi të kuptohet si duhet me Çanin. Një gjuajtje normale nuk mund të mjaftojë në një ndeshje të këtij niveli. (Nga min 67′, Bardhi 6 – Me futjen e tij, Partizani ndryshon ndjeshëm. Përfiton nga lodhja e rivalëve dhe nga tensioni që i ka kapluar duke furnizuar sulmin dhe duke krijuar hapësira të çmuara).

Trashi 5,5 – Një mesfushor i majtë që luan si gjysmësulmues i djathtë… Nëse nuk është Robeni, atëherë mirë do të ishte të luante në rolin e vet. I sforcuar në një rol që e ka të vështirë të japë më të mirën.

cani shameti

Çani 5 – Me hatër sepse ishte në debutim. Furnizohet shumë pak, por duket qartë se ende nuk është harmonizuar me pjesën tjetër të ekipit. Shumë dëshirë, por pak rendiment. Larg formës fizike më të mirë, por edhe “spondat” i bën keq ose nuk i bën hiç. (Nga min 71′, Sukaj 6 – “Xhevo” nuk bën ndonjë mrekulli, por ama frymëmarrje skuadrës i jep. Kërkon me zgjuarsi zonat boshe dhe sillet si një gjahtar, por as ai nuk merr ndonjë asist për gol).

Trajneri Mark Iuliano 5 – Skuadra e tij është e vetmja që ende nuk ka shënuar një gol në kampionat. Ekipi është i zgjatur në fushë, repartet të shkëputura dhe të pasigurta dhe lojtarë jashtë rolit. Ka shumë punë për ta sjellë Partizanin në vete. Por duhet ta bëjë shpejt, sepse do udhëtojë në Korçë.

kukesi

KUKËSI

Koliçi 7 – I shkëlqyer reagimi te gjuajtja e Bathës. Është portieri i momentit në Superiore dhe dje e tregoi sërish këtë. Ka autoritet dhe reflekse të shkëlqyera. I sigurt.

kolici

Hallaçi 6 – Ndeshje e mirë për kapitenin. Ia del të mbajë larg zonës Prognin dhe lexon si duhet ato pak kombinime që përpiqen të bëjnë të kuqtë në krahun e tij.

Shameti 6,5 – I frikshëm në zonën e tij. Largon topat me kokë, me këmbë dhe me dhunë. Lufton mirë me një gjigant si Çani dhe e fiton duelin me të. Lider në prapavijë dhe një rrezik i madh në portën rivale në luftën në ajër.

Alla 6,5 – I sigurt në punën që bën dhe has vështirësi vetëm kur në zonën e tij shfaqet Bardhi që ka teknikë dhe shpejtësi. Frika e Iulianos për të luajtur me dy sulmues kalibri në sulm ia lehtësoi punën akoma më shumë.

Imami 5 – Një ndeshje e vakët ku sakrifikoi shumë dhe u vu në vështirësi të mëdha nga Trashi. (Nga min 57′ Rrumbullaku 6 – Hyn si një masë mbrojtëse dhe bën vetëm detyrën)

Krkotiç 6 – E zëvendëson mirë Musollin, madje tejkalon pritshmëritë. I sigurt dhe i qetë në fazën mbrojtëse. Nuk e dorëzon asnjëherë topin kuturu dhe bashkëpunon mirë me Zeqirin. Shpresëdhënës.

Zeqiri 7 – Çfarë transformimi nga ndeshja me Kamzën! Lufton si i çmendur, përpiqet të ndërtojë aksione dhe bën një presing mbytës sidomos mbi Adorjanin dhe Bathën. Potent dhe i qartë në lëvizjet e tij. Një vlerë e shtuar.

guri

Guri 5,5 – I sakrifikuar vazhdimisht atje në krah, por gjithsesi rastin e tij për gol e pati. Dhe e shpërdoroi… Nëse do të kish shënuar, mund t’i kish dhënë një leksion të qartë Milinkoviçit se është një numër 9 tipik.

Bakaj 6 – Ka finesë, zgjuarsi, por luan edhe pisët. Vetëm ai mund t’i bëjë të tria njëherësh këto në një ndeshje. Është kërkues dhe përpiqet të ndihmojë sa të mundet Alijevin që gjithsesi ishte i markuar ashpër nga të kuqtë. Nuk shërbehet si duhet, por sa shumë sakrifikon kur Kukësi është në vështirësi. Ndeshje e luftuar për një fantazist.

Kale 6,5 – Ndër të paktit që bën diferencën te Kukësi. Ka shpejtësi, teknikë dhe vetëbesim. Por nuk ka shënjestër dhe kjo e penalizon disi. E megjithatë, Kukësi ka tjetër ritëm kur Kale është në fushë.

kale krasniqi

Alijev 5,5 – Tërheq shumë dhe u jep thellësi aksioneve sulmuese, por hera-herës është i vetëm. Ndoshta Bakaj duhet të rrijë më pranë tij, ose skuadra të mos jetë aq e zgjatur kur sulmon. E megjithatë ai lufton mirë, edhe pse nuk ka mundësi të shënojë. (Nga min 63′ Shtubina 5,5 – Ende i papërshtatur si duhet te Kukësi, por gjithsesi nuk stonon.)

Trajneri Milinkoviç 6 – Kukësi i tij kishte ndryshuar si me pult dhe trajneri doemos ka meritë. Por nuk ka vend për shumë eufori, sepse në fakt Kukësi nuk e kishte idenë se çfarë duhet të bënte kur shkonte afër zonës së Partizanit. Duhet ta zgjidhë këtë problem sa më shpejt, si për mbrojtjen dhe portën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"