NOTAT E JAVËS SË 24-rt/ Tirana dhe Skënderbeu më të mirët, Partizani dhe Kukësi me kokën poshtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2020 | 23:16

NOTAT E JAVËS SË 24-rt/ Tirana dhe Skënderbeu më të mirët, Partizani dhe Kukësi me kokën poshtë

“Panorama Sport” jep notat e 10 skuadrave të Kategorisë Superiore për ndeshjet e javës së 24-rt të Kategorisë Superiore.

kategoria superiore

TIRANA 8 – Derbi, si qershia mbi tortë. Bardheblutë shkatërrojnë Partizanin dhe konfirmohen pretendentët kryesorë për titullin kampion. Pesë gola dhe një fitore me përmbysje. E premtja e 28 shkurtit do të mbahet mend gjatë te Tirana. Skuadra e Egbosë e nis keq, por më pas bën një ndeshje të çmendur. Edhe zëvendësimet e nderojnë Egbonë, pasi Muçit i mjaftojnë 15 minuta për të shënuar dy gola. Ai që vulosi fitoren 5-1 ishte një kryevepër, pasi Muçi shënoi nga rreth 25 metra.

tirana

SKËNDERBEU 8 – Një skuadër që të argëton. Godet Vllazninë në frymën e fundit me një aksion model, ndërsa i gëzohet edhe rikthimit të mbrojtësit Bajram Jashanica pas dy viteve jashtë fushave. Një fitore e madhe për vetë faktin se shkodranët ishin kundërshtari më i afërt për vendin që të çon në “play out”. Tashmë në Korçë janë më të qetë për të parë nga vendet e sipërme të tabelës dhe, pse jo, zonën evropiane.

Skenderbeu vs Tirana

LAÇI 7 – Bën detyrën në Gjirokastër, por vuan pa fund dhe i duhet ndihma e arbitrit për të gjetur golin e parë nga një penallti e paqenë. Kurbinasit nuk kanë qartësinë e duhur në sulm, madje në momente të veçanta rrezikojnë të ndëshkohen, por duhet të falënderojnë portierin Stazhilla për pritjet. Pas kalimit në avantazh dyshja Nuabueze-Xhixha del në lojën e vet dhe “gatuan” golin e dytë.

teuta laci aleksi

TEUTA 6.5 – Një skuadër agresive që nga fillimi dhe deri në fund të lojës, por vetëm barazim ndaj Kukësit, edhe pse praktikisht e nisi ndeshjen me gol, duke kaluar në avantazh me penalltinë e Kallakut. Disa gabime naive në mbrojtje i kushtuan jo pak, pasi mund të fitonte.

Teuta4563

FLAMURTARI 6 – Vlonjatët zhvillojnë në Ballsh një nga ndeshjet më të mira jashtë fushe në aspektin taktik. Mbrohen mirë dhe kundërsulmojnë rrezikshëm. I kishin rastet për ta goditur Bylisin, por gjithsesi një pikë në një fushë si “Adush Muça” shërben jo pak për moralin.

flamurtari

KUKËSI 5.5 – Një “deja vu” e ndeshjeve të fundit, por këtë herë e bën dramë në Durrës dhe detyron presidentin Gjici të shkarkojë Duron. Shkurtaj bën detyrën me dy gola, por sulmuesit e tjerë shpërdorojnë jo pak dhe në fund ekipi nuk mban dot avantazhin prej gafave në mbrojtje.

kuper kukesi

BYLISI 5 – “Djeg” një mundësi të artë për t’u ngjitur në renditje. Dy pikët e lëna ndaj Flamurtarit do t’i kujtojë gjatë, për më tepër që iu dha rasti të shënonte nga penalltia, pasi Hidi goditi traversën.

bylisii

LUFTËTARI 4 – Bën gjithçka mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe i afrohet golit ndaj Laçit në të paktën tri raste, por penalltia e godet psikologjikisht dhe më pas e pëson lehtësisht golin e dytë.

Luftetari56

VLLAZNIA 4 – Lë tri pikë në sekondat e fundit dhe kjo duket e pafalshme. Në duelin direkt me skuadrën që mund të parakalonte nuk përfiton. Tashmë gjërat vështirësohen edhe më tepër.

rodrigues-junior-vllaznia_1539027713

PARTIZANI 4 – Nuk mjaftojnë 10 minuta të zjarrta në derbi. Gafa të pafalshme në mbrojtje dhe skuadra shkon drejt shpërfytyrimit. Zhgënjim total i kampionëve në fuqi, që duket se i kanë larë duart me titullin.

partizani

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"