Notarët s’kanë pishinë / Situata të vështira për delegacionin kuqezi , ja problemet e Shqipërisë në Oran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2022 | 23:01


Notarët s’kanë pishinë / Situata të vështira për delegacionin kuqezi , ja problemet e Shqipërisë në Oran

Prej datës 25 qershor në Algjeri kanë nisur Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, aktivitet ku marrin pjesë 26 shtete me një numër prej 3390 sportistësh. Në këtë eveniment përfaqësohet edhe Shqipëria, e cila ka zbarkuar në Oran me 28 sportistë, ndërsa peshëngritësja Evangjelia Veli nuk mundi t’i bashkohej ekipit pasi rezultoi pozitive me COVID para nisjes. Por jo gjithçka ka shkuar vaj për delegacionin kuqezi në Algjeri.

Delegacioni kuqezi në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022

Problemet e para kanë nisur pas uljes në aeroport, me ekipin që ka mbetur për disa orë i bllokuar aty. Ndërkohë, një tjetër problematikë ka të bëjë edhe me mungesën e pishinës për stërvitjen e notarëve tanë. Gazeta mëson se Shqipëria nuk kishte bërë rezervim për pishinën ku duhet të stërviteshin sportistët.

Kështu, Frenki Vogli, Drini Ujkashej dhe Sara Dande, të cilët do të përfaqësojnë notin kuqezi në “Oran 2022”, nuk kanë pasur ku të përgatiteshin për garat e tyre. Megjithatë, për zgjidhjen e kësaj problematike, Shqipërisë i ka ardhur në ndihmë Kosova, teksa sportistët tanë shfrytëzuan pishinën e rezervuar nga “Dardanët”.

Lidhur me këto problematika gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në Oran, por ende nuk ka asnjë reagim. Kosova, me më shumë sportistë se Shqipëria në Mesdhetare.

Në “Oran 2022” është gjithashtu pjesëmarrëse edhe Kosova. Ndonëse një shtet i ri, “Dardanët” po bëjnë hapa të mëdhenj në sport. Në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, Kosova paraqitet me një numër më të lartë sportistësh se Shqipëria, teksa në garon në Mesdhetare me 39 persona.

PANORAMASPORT.AL