Nota më të larta për humbësit se për fituesit, ja vlerësimet e derbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 15:11

Nota më të larta për humbësit se për fituesit, ja vlerësimet e derbit

TIRANA

tirana partizani

I.Lika 6 – Është një garanci në mbrojtjen e brishtë të Tiranës dhe pritja me këmbë ndaj Torasës në fund të pjesës së parë ishte momenti më domethënës. Pa faj te dy golat e pësuar.

Hoxhallari 6 – Ndeshje e luftuar me gjithë shpirt, edhe pse dukshëm kishte vetëm detyra mbrojtëse. Në fund vuajti presingun e lartë të Fejzullahut.

Turtulli 6 – Ndeshje monumentale për mbrojtësin bardheblu. Bllokoi Ekubanin dhe luajti me një personalitet për t’u admiruar. I zgjuar në leximin e aksioneve dhe në mbylljen e hapësirave. Bindës.

Teqja 6 – Një nga ndeshjet e tij më të mira me Tiranën, por për fat të keq u dëmtua. Jep gjithçka në fushë dhe nuk ka pasigurinë e zakonshme që shfaq në ndeshje të mëdha. (Nga minuta 59′, Cake 4,5 – Bëri vetëm një gabim nga mungesa e eksperiencës dhe ai i vulosi ndeshjen. Sukaj i djeg kohën dhe hapësirën dhe shënoi me kokë. Derbi ishte shumë i pamëshirshëm për një të ri që gjithsesi ka shumë talent).

Doka 5 – Personalitet, forcë, klas dhe… mungesë eksperience. Është padron i krahut të tij dhe mat forcat me prepotencë ndaj Mazrekajt, por nuk kish llogaritur Bathën… E mban këmbën të zgjatur më shumë se sa duhet brenda zonës dhe i vjedhin një penallti shumë të dyshimtë. I pafat.

Karabeci 6 – Kapiteni jep gjithçka në mesfushë dhe ia del të mbajë skuadrën e tij për pjesën më të madhe të kohës në balancat e duhura. Vertikalizon mirë dhe sapo thyen aksione arrin të nisë menjëherë një të ri për ekipin e tij. Solid.

Daja 6 – Sakrificë pa hesap. Shkatërron aksione, ndihmon sulmin dhe më pas e sheh në mbrojtje. I thjeshtë në lëvizje dhe i zgjuar në shfrytë- zimin e hapësirave boshe. Çfarë dysheje që bën me Karabecin!

Merveil 6,5 – Rreziku numër 1 për Partizanin dhe nuk zhgënjen. Gatuan gjithçka vetë te goli i parë, kur lë në vend Krasniqin dhe i kalon topin sipër kokës Malotës. Shumë talent, por jo në formën fizike të duhur.

Taku 6 – Nuk është ai i dy fazave të para, por ama dje nuk zhgënjeu. U tregua ndoshta pak më altruist se ç’duhet në brendësi të zonës, por gjithsesi nuk doli asnjëherë nga detyrat taktike. Bie në pjesën e dytë. (Nga min 80′, Kërçiku – Pa notë. Për pak sa nuk shënoi në fund me kokë, por Hoxha u tregua i vëmendshëm).

Akuah 6 – Robust dhe i ashpër pa masë. I jep mundësi Karabecit dhe Dajës të spostohen pa merak në sulm kur Tirana ka topin dhe shndërrohet në një stoper mbresëlënës kur Partizani sulmon.

Edeh 6,5 – Shënon mjeshtërisht golin që i jep zemër Tiranës dhe lufton shumë gjatë gjithë ndeshjes. Humb një rast të shkëlqyer në minutën e 66-të, por kjo nuk zhbën faktin që gjithsesi ai dje luajti një ndeshje të mirë. (Nga min 68′Moise 5,5 – Luajti mirë, por nuk i dha dot Tiranës impuls të ri në fazën sulmuese).

Trajneri Josa 6 – Notë e ekzagjeruar ndoshta për një trajner që është përmbysur në derbi, por vetëm për ata që nuk e kanë parë ndeshjen. Tirana e tij bëri të vuajë Partizanin dhe nëse do kish pasur pak më shumë cilësi në sulm, mund ta kish fituar. Skuadra ishte më efikase në mesfushë dhe më e sigurt në mbrojtje. Kjo edhe për meritë të tij pa dyshim.

PARTIZANI

partizani

Hoxha 5,5 – Dalje e pasigurt te goli i Edehut duke ia komplikuar jetën Partizanit. Reagon shkëlqyeshëm në një goditje rrufe të Karabecit. Nuk shkëlqen, por mbetet pikë referimi.

Fejzullahu 5,5 – Me hatër paksa, sepse e shpëton ai asistin perfekt për golin e Sukajt. Sa për pjesën tjetër, ka shumë ide në kokë, por nuk i përgjigjen këmbët… Humbet topa dhe shpeshherë e vonon lojën pa kuptim.

Malota 5 – I pasigurt dhe i vendosur keq te goli i Tiranës, Kuptohet me vështirësi me Krasniqin dhe në pjesën e dytë edhe topin e largon rrëmbyeshëm pa pasur nevojë.

Krasniqi 4,5 – Merveil e nxjerr blof tek aksioni i golit. Në pjesën e dytë ka një guxim të tepruar duke kthyer topin me finte në zonën e tij dhe në fund ndëshkohet edhe me të verdhë dhe humb Kukësin. Mbrëmje e errët për shtatlartin.

Kalari – Luan shumë pak për të marrë notë dhe shfaq limitet e zakonshme në kësi ndeshjesh. (Nga minuta 19′, Mazrekaj 5 – Starova ishte duke e zëvendësuar, por për fatin e tij u dëmtua Torasa. Do ishte fyerje e madhe për një lojtar të klasit të tij, edhe pse ka vuajtur së tepërmi dëmtimet e shpeshta. Vetëm gjuajtja spektakolare, ku topi u përplas në traversë, janë shumë pak në ndeshje kaq jetike).

Ramadani 5 – Lufton si mundet në mesfushë, por e humb duelin me rivalët bardheblu, sepse mesfusha e Tiranës ishte më e dendur dhe presingu për topin e parë ishte i ashpër. Pak i qartë dhe shpeshherë i lënë vetëm.

Batha 7,5 – “Vjedh” një penallti dhe, më pas, e shndërron në gol. I vetmi që nuk stonoi në mesfushë dhe luftoi sa për dy. Kur është në formë, pakkush mund të përballet me të.

Vila 5 – Është më efikas kur nuk e ka topin në këmbë. Gabon në shumë pasime dhe është i çorientuar sa herë që Tirana ndërton aksione. Asnjë inkursion dhe me të drejtë zëvendësohet. (Nga min 54′, Cetkoviç 6,5 – Ndryshoi lojën e Partizanit. Jep vertikalizime të vyera, lufton për topin e parë dhe mbi të gjitha u transmeton qetësi shokëve që ishin në panik. Zëvendësim i goditur)

Trashi 5,5 – Më i sakrifikuari. E nis në mesfushë dhe më shumë i duhet të mbrojë, sepse “demat” nuk ishin kurrkund në repartin qendror. Më pas spostohet në mbrojtje dhe i bën mirë detyrat, por e ka të vështirë të merret vesh si duhet me Mazrekajn.

Torasa 5 – I fikur. Presingu i lartë i bardhebluve i merr frymën dhe nuk është në gjendje të bëjë asnjëherë diferencën. Asnjë pasim për të qenë dhe vetëm një roveshatë që përfundoi në traversë për t’u shënuar. (Nga min 73′, Sukaj 7,5 – Një shans një gol… Nuk është rastësi që ndeshjet e mëdha shpesh i vendos ai… I djeg kohën të riut Cake dhe vulos një ndeshje që mund t’i kushtonte shumë Partizanit. Një gol titulli nga një lojtar i madh)

Ekuban 5 – Shumë i shkëputur nga pjesa tjetër dhe i markuar në mënyrë të pamëshirshme. Ka meritën që mban mbrojtjen bardheblu larg gjysmëfushës, por mund të kishte gjuajtur më mirë me kokë në pjesën e parë. Në hije.

Trajneri Starova 7 – Fitoi një ndeshje delikate dhe, megjithëse mbrojtja dridhet si asnjëherë tjetër, arrin të marrë rezultatin që do. Zëvendësimet i godet dhe pati edhe pak fat. Ekipi i tij ka mentalitetin e duhur për të luftuar deri në fund. Fitore e çmuar, ku dukej dora e një “ujku të vjetër”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"