Nostalgji para Lushnjës/ Statistikat favorizojnë Tomorin, Arbëri: Prisni spektakël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2022 | 22:21

Nostalgji para Lushnjës/ Statistikat favorizojnë Tomorin, Arbëri: Prisni spektakël

Tomori rigjen Lushnjën. Këtë fundjavë luajnë në “Roza Haxhiu”, atje ku i pret një kundërshtar tërësisht i transformuar. Nëse në 2021-shin kanë pasur një bilanc më shumë se pozitiv përballë verdhejeshilëve (mes dy ndeshjeve të Kupës dhe kampionatit), këtë radhë pritet tjetër histori.

Tomori

E megjithatë, statistikat flasin për beratasit, që i eliminuam nga Kupa e Shqipërisë dhe i kanë mundur në fazën e parë të kampionatit. “Terminatori” i lushnjarëve ka qenë Brunild Pepa, i cili ka realizuar 3 gola në po aq takim. Ky duel tradicional vendos përballë së shkuarës edhe pesë lojtarë.

Veç Pepës, edhe Ledion Ruço ka një eksperiencë te Lushnja. Në kampin tjetër janë dy Mikelët që presin ish-ekipin, Kaloshi në portë dhe Canka në sulm, pa harruar edhe Erald Kolgegën i sapolarguar nga Berati. Plot nostalgji e pret edhe Klodian Arbëri këtë duel, që gjithashtu ka luajtur dhe shkëlqyer për verdhejeshilët. Tani do të ketë tjetër status, atë të trajnerit. Përtej nostalgjisë, misionin e ka të qartë: të mos dalë pa pikë. Këtë e pohon vetë tekniku, teksa flet për “Panorama Sport”:

KLODIAN ARBERI

“Përballen dy skuadra me traditë, ndaj parashikoj rivalitet dhe spektakël. Lushnja ka bërë shumë ndryshime në staf dhe përbërje, gjë kjo që e shton akoma më shumë dëshirën e tyre për fitore. Unë ruaj respekt dhe adhurim për skuadrën dhe tifozërinë lushnjare, pasi kam kaluar jo pak atje. Por duke qenë profesionist, atëherë them me bindje të plotë se do të shkojmë për të dhënë dhe marrë maksimumin në këtë transfertë”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"