Norvegjia, sfida që vendosi pikat mbi “i”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2018 | 22:26

Norvegjia, sfida që vendosi pikat mbi “i”

YLLI AGA

ylli aga

Në një ndeshje miqësore, si ajo kundër Norvegjisë, gjëja e fundit që duhet marrë në konsideratë është rezultati. Duke qenë një nga testet e fundit për pjesëmarrjen në “Nations League”, kishte një listë të gjatë më prioritare për stafin teknik të kuqezinjve. Një paralajmërim të tillë e pati bërë të qartë edhe trajneri Panuçi, duke kërkuar përgjigjet e duhura nga futbollistët veçmas dhe skuadra në tërësi e thirrur në apel. Për fat të keq, pranuar tanimë pothuajse nga të gjithë, përgjigjet ishin jo të sakta, aq sa e detyruan italianin të deklaronte se nga kjo humbje ka mësuar shumë më tepër sesa fitorja me Turqinë.

Futbollistë jo në gjendje optimale për të luajtur

Një nga arsyet kryesore të renditura nga trajneri Panuçi për paraqitjen zhgënjyese kundër norvegjezëve perfektë, ishte se disa nga futbollistët e përzgjedhur prej tij nuk ishin në gjendjen e tyre optimale për të luajtur. Në këtë pikë, gjëja e parë që të vjen në mendje është se trajnerët, që drejtojnë ekipet kombëtare, më së shumti vlerësohen për rolin e tyre si seleksionues dhe ajo që duhet nënvizuar është se Panuçi nuk mund të bëjë konstatuesin, por më së paku të marrë përgjegjësitë e tij për informacionin e mangët për secilin futbollist që i dërgon një ftesë dhe, mbi të gjitha, për faktin që u jep lojtarëve me këtë profil një bluzë titullari, duke qenë se si rrallëherë i ka pasur në dispozicion për një javë.

odegard shqiperia

Ekipi kombëtar përfaqëson shumë më tepër se një skuadër futbolli dhe gjithkush që thirret për ta veshur atë, duhet të jetë në maksimumin e formës së tij. Dhe për këtë nuk duhet të ketë vend për nostalgji apo qejfmbetje. Me shumë mundësi, ndeshja me Norvegjinë, nisur edhe nga fjalët e trajnerit të ekipit tonë kombëtar, mund të konsiderohet e mbyllur dhe nga ndeshja e ardhshme nuk do të ketë më justifikime për asnjë futbollist dhe veçanërisht stafin teknik.

Kostot e ndarjes me Kosovën

Pranimi i FFK në UEFA dhe FIFA, përtej rëndësisë së pamatë për identitetin, imazhin dhe statusin e eventit më të ri në kontinent, në planin sportiv ka krijuar kosto për Kombëtaren e të gjithë shqiptarëve. Dallohet lehtësisht se nuk është e njëjta atmosferë si në fillimin e eliminatoreve për “Brazil 2014” dhe veçanërisht për “Francë 2016”, teksa kuqezinjtë ishin adresa e vetme për çdo futbollist shqiptar, kudo që ai ishte lindur apo formuar sportivisht. Një fakt i tillë, i gjykuar në një mënyrë të thjeshtë aritmetike, teksa cilado qoftë përqindja e cilësisë, e sigurt është që ka një kosto për ekipin tonë kombëtar. Sepse mjafton të përmendim emra si Rrahmani, V.Berisha, B.Berisha, Rashica apo Muriqi, me të cilin mund të tentonim të luanim ndryshe. Për një argument si ky besoj se janë të mjaftueshme rezultatet e fundit të ekipeve përfaqë- suese të Kosovës. Sigurisht nuk duhet të ketë asnjë keqardhje, pasi rritja dhe një prezantim sa më i suksesshëm i Kosovës është shumë herë më e rëndësishme se çdo rezultat teknik që mund të arrijnë kuqezinjtë, por ndarja në Kombëtare do të ketë kosto.

“Hija” De Biazi

E sigurt ishte që cilido që do të pasonte trajnerin që udhëhoqi Shqipërinë për herë të parë në finalet e një kompeticioni të rëndë- sishëm, nuk do t’u shpëtonte krahasimeve me të. Përjashtim nuk mund të bëjë as Kristian Panuçi. Ndonëse, qysh në ditët e para tentoi të largohej nga hija e tij, duke hequr dorë nga futbolli pragmatist i De Biazit dhe duke guxuar për një futboll më sulmues. Për të ndryshuar një mentalitet të tillë kundër tij është edhe efekti kohë, ndonëse disa shenja pozitive nuk kanë munguar. Megjithatë, kur afron një kompeticion si “Nations League”, në të cilin nuk do të ketë më kundërshtarë si Lihtenshteini, por skuadra pothuajse identike me Norvegjinë, ndoshta stafi teknik duhet të marrë në konsideratë mënyrën racionale, me të cilën i trajtonte ndeshjet De Biazi. Tek e fundit, “hijen” e tij nuk mund ta evitojmë kurrsesi.

Shiriti i kapitenit

E vërteta e madhe është se mënyra e zgjedhjes së kapitenit në një skuadër futbolli është shumë e ndryshme. Dhe për këtë kujtojmë se një status të tillë e merr një futbollist si zgjedhje e drejtpërdrejtë nga ana e trajnerit apo e një votimi mes futbollistëve. Janë jo të rralla rastet kur çështja e shiritit ka prodhuar disa nga mosmarrëveshjet më të mëdha brenda dhomave të zhveshjes. Apo e kundërta, për të ulur rëndësinë e këtij roli, trajneri ka zgjedhur ta alternojë shiritin dhe rasti më tipik është ai Anglisë në eliminatoret e këtij Botërori. Por, në rastin e ekipit tonë kombëtar, lehtësia më të cilin është trajtuar kjo çështje ka qenë një surprizë në raport me profilin e shfaqur nga Panuçi, që nuk ka lënë rast, por ka vendosur pikat mbi “i” edhe për detajet më të imëta. Për simbolikën e këtij roli, për statusin e “trajnerit” në fushë, ndoshta Panuçi duhet të heqë dorë nga mënyra se si e ka trajtuar këtë çështje deri më tani dhe të bëjë zgjedhjen e tij përfundimtare.

Kjo sepse nuk mund të jetë normale që kapiteni i skuadrës, me këtë mënyrë përzgjedhjeje, të mund të jetë kandidati i parë për t’u zëvendësuar. Kombëtarja ka nevojë për një kapiten që të ketë profilin e një lideri dhe të ketë gjithmonë diçka për t’u thënë shokëve të skuadrës në dhomat e zhveshjes dhe veçanërisht në fushën e lojës. Norvegjia ishte vetëm një ndeshje miqësore dhe prej saj kuqezinjtë dhe stafi teknik kanë nxjerrë mësimet e duhura. Shqipëria, me pjesëmarrjen në Europian dhe paraqitjen në eliminatoret e fundit, ka një profil imponues në arenën ndërkombëtare, të cilin minimalisht duhet ta ruajë dhe, pse jo, të tentojë ta përmirësojë atë. Dhe nga gabimet si ato me norvegjezët mund të mësojmë shumë më tepër

Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet riprodhimi i pjesshëm apo i plotë pa lejen e gazetës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"