Nokës nuk i del e keqja: Na eliminuan gjyqtarët, Tiranës i ka mbetur vetëm emri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2017 | 19:23

Nokës nuk i del e keqja: Na eliminuan gjyqtarët, Tiranës i ka mbetur vetëm emri

Besëlidhja e mbylli historinë e Kupës së Shqipërisë në gjysmëfinale të mërkurën në “Selman Stërmasi” nga humbja që pësoi ndaj Tiranës me shifrat 2-0. Pas sfidës kundër bardhebluve dhe eliminimit, presidenti Gjok Noka gjen fajtorët e humbjes në atë takim, gjykimin dhe angazhimin e futbollistëve lezhjanë.

Gjok Noka

NOKA

“Në sfidën gjysmëfinale që zhvilluam në ‘Selman Stërmasi’ nuk u mundëm nga Tirana, por nga neglizhenca e futbollistëve dhe bilbili i gjyqtarit, pra shkurt bardheblutë patën një dhuratë. Kjo dhuratë e çmuar për Tiranën erdhi nga dy faktorë: e para futbollistët e Besëlidhjes e morën shumë lehtë, gjë që në fushën e lojës lëshuan më shumë sesa edhe mund të imagjinohej.

Faktori i dytë ishte gjyqtari që, përveç shumë padrejtësive, na mohoi një penallti që po të na e jepte do të kishim barazuar dhe loja do të merrte rrjedhë normale, dhe jam i bindur se do ta fitonim. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, flet hapur për gjykime të padrejta dhe gjyqtarë të korruptuar, por përsëri ata arbitrojnë njëlloj.

Ndeshja është e regjistruar dhe provat që kemi në dispozicion janë të pakontestueshme, ku duken qartë qokat e gjyqtarit që vijojnë në avazin e tyre, pavarësisht paralajmërimit të presidentit të FSHF-së. Besoj se edhe ky gjyqtar do të ndëshkohet ashtu siç duhet, pasi e tradhtojnë provat që kemi në dorë”, u shpreh Noka.

Presidenti lezhjan vazhdon më tej duke deklaruar se Tiranës i ka mbetur vetëm fanella. “Mua më vjen më shumë keq që u s’kualifikuam nga një skuadër e një niveli më të ulët se ne, pasi Tiranës i ka mbetur vetëm emri dhe fanella. Skuadra të vërteta dhe të forta janë Partizani që është edhe kandidati kryesor për titull dhe më pas vjen Flamurtari. Dua t’i përshëndes të dyja dhe më vjen keq që e pësuam nga një skuadër më e dobët se Besëlidhja, kjo falë gjykimit të njëanshëm siç e theksova dhe më lart”, përfundoi ai.

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"