Noka “bekon” Brukën, trajneri: Duhen 6 afrime nga porta në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2022 | 23:29

Noka “bekon” Brukën, trajneri: Duhen 6 afrime nga porta në sulm

Alban Bruka mbetet zyrtarisht në “timonin” e Besëlidhjes. Pasi mbylli një sezon të plotë në stol, është konfirmuar edhe për një tjetër. Ka marrë “bekimin” e presidentit Gjok Noka dhe zyrtarisht ka nisur nga puna për ndërtimin e ekipit.

BRUKA BESELIDHJA

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri rrëfen se duhen të paktën 6 afrime dhe në çdo repart. Nuk ngurron që të zbulojë edhe emrin e parë që po bisedon në këtë merkato vere dhe bëhet fjalë për Florian Trokthin, laçianin që kampionatin e mbylli me Burrelin.

Jeni rikonfirmuar në krye të pankinës edhe për sezonin e ardhshëm?

Po, jam konfirmuar. Ndaj po punojmë së bashku me presidentin Gjok Noka për përpilimin e një plani për të rinovuar ato pozicione që sezonin që lamë pas nuk na kënaqën.

Çfarë do të ndodhë konkretisht në merkato?

Kemi nisur të seleksionojmë disa elementë nga ata që kemi studiuar që pa u mbyllur mirë sezoni. Si fillim po piketojmë futbollistë për të zëvendësuar të larguarit dhe pastaj do të shohim me kujdes ato pika që nuk funksionuan si duhet gjatë sezonit që lamë pas.

Sa futbollistë mendoni që të afroni?

Të paktën 5-6 futbollistë cilësorë apo dhe më tepër i duhen ekipit për të qenë i gatshëm për sezonin e ardhshëm. Përveç titullarëve, na duhet edhe një stol po aq cilësorë. Jam i kënaqur që boshtin e ekipit e kam tashmë të konsoliduar dhe kjo ka rëndësi.

Dhe cilat janë pozicionet që kanë nevojë për rinovim?

Të gjitha repartet kanë nevojë për ndërhyrje. Cilësia nuk bën kurrë keq, ndaj rinovimi do të nisë nga porta, mbrojtja, mesfusha e përfunduar te sulmi. Në disa pozicione na detyruan për ndërhyrje largimet e futbollistëve serbë, si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë. Ndërsa pozicionet e tjera si porta dhe sulmi kanë nevojë, pasi aty kemi pasur me shumë dobësi.

Keni nisur bisedimet me ndonjë emër konkret?

Kemi piketuar shumë futbollistë dhe, siç e theksova edhe më lart, po seleksionojmë listën teorike, duke pasur parasysh edhe mundësitë tona konkrete dhe cilësinë e atyre që duam t’i marrim në ekip. Presidenti më ka dhënë dorë të lirë për merkaton e kësaj vere, ndaj më duhet të punoj me kujdes për rifreskimin e ekipit. Deri tani jemi në bisedime me futbollistin laçian Florian Trokthi.

Me emra si Flamurtari, Skënderbeu dhe Dinamo, gara pritet e ashpër. Sa larg mund të shkojë Besëlidhja sezonin e ardhshëm?

Që sezonin e kaluar, Kategoria e Parë e kishte një aromë elitare dhe ne morëm guximin për të ndërtuar ekipin nga e para duke sakrifikuar ndoshta edhe mbijetesën. Duke qenë se tashmë boshti i ekipit është i ndërruar dhe i konsoliduar, me pak sforco me mbështetjen e presidentit Gjok Noka besoj se meremetimin e ekipit do ta përshtasim për një sezon me cilësi elitare.

Kur do të jetë gati Besëlidhja për t’u ngjitur?

Ndonëse Besëlidhja ka një periudhë të gjatë në inferiore, në shumë sezone ka qenë ekipi më i mirë, duke iu afruar shumë ngjitjes një kategori më lart.

Por më shumë nga fati sesa nga forma e saj ka ngecur në vend. Në dekadën e fundit, të gjitha ekipet e elitës tradicionale e kanë prekur Kategorinë e Parë. Përveç këtyre që janë aktualisht kohët e fundit, kanë qenë edhe Tirana që është kampionia në fuqi dhe Vllaznia fituesja e Kupës. Ky trend po zgjat pa parashikim. Gjithsesi, ndonëse grupi i sezonit të ardhshëm është thuajse elita e viteve ‘80-’90, ne do të luftojmë fort për të qenë në pozitat e ekipit pretendent.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"