“Njohja ime befasuese me shqiptaren – Kampione të Italisë, Imelda Prendushi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2019 | 23:49

“Njohja ime befasuese me shqiptaren – Kampione të Italisë, Imelda Prendushi”

AHMET SHQARRI

ahmet shqarriii

‘Në fakt, rrënjët i ka shqiptare, me prindër shkodranë, ndërsa vetë është lindur e rritur në Itali, pikërisht në Trieste. Imelda Prenushit, sot 78 vjeçe, ashtu si mua këto ditë të para gushti, nuk i kishte shkuar kurrë ndërmend, ashtu sikurse më tha kur u takuam, se dikush, ndonjëherë, aq më tepër nga Shqipëria, do të interesohej që të bisedonte me të për të shkruar rreth “jetës së saj të harruar sportive”!…

Ajo që më ndodhi atë pasdite vere ka qenë me të vërtetë diçka e paparashikueshme. Ishte dita e fundit e qëndrimit tim në Trieste, ku kisha shkuar për të pushuar tek ime bijë Kleitia, e martuar atje prej vitesh me Andrea Vengust. Para se të merrja avionin për në Tiranë mendova që të kaloja pak kohë në një prej parqeve të gjelbëruar e të freskët të qytetit, kur në shëtitje e sipër, një zonjë e moshuar e shtatlartë që vinte përballë nesh, me sa duket, duke dëgjuar bisedën me time bijë, na përshëndeti me përzemërsi, ndërkohë që me një buzëqeshje të ëmbël dhe me një zë të butë e të këndshëm na u drejtua me një shqipe interesante, me ca nuanca të veçanta e një timbër shumëngjyrësh që m’u duk se vinte prej kohësh të hershme.

“Më duket se jeni shqiptarë apo më banë veshët kur po flisnit”,- foli zonja që çuditrisht na doli se ishte pikërisht Imelda Prenushi, ajo për të cilën unë kisha pasur shumë dëshirë që ta njihja në ardhjet e mëparshme në Trieste, por pa e pasur asnjëherë mundësinë për t’u takuar me të… Disa herë, kolegu dhe miku im i vjetër Besnik Dizdari, kur mësonte se do të shkoja në Trieste, këmbëngulte që unë të gjeja ndonjë mënyrë për t’u takuar atje me një shqiptare me emrin Imelda Prenushi, që sipas tij, (i cili e njeh historinë e sporteve si askush tjetër), na paskej qenë kampione e Italisë në basketboll për femra në vitet e largëta 50-të.

Imelda

Për ta bërë edhe më të domosdoshëm “gjurmimin” tim në Trieste, Dizdari e përforconte vlerën sportive të personazhit në fjalë, duke thënë se ajo na qenkish e para femër shqiptare që paska luajtur për përfaqësuesen e një vendi tjetër, siç ishte në rastin konkret skuadra nacionale italiane. Natyrisht, të dhënat ishin mjaft intriguese për ta gjetur mundësinë e një takimi me këtë kampione që ishte nga Shqipëria, por siç tregova më sipër, duhej të vinte ajo pasdite e gushtit që ne të takoheshim ashtu rastësisht në atë parkun e gjelbëruar e plot freski të Triestes, që ngjan si një ballkon mbi detin e thellë blu…

Sapo mësova mbiemrin e saj gjatë prezantimit, duke pasur parasysh edhe shtatlartësinë e saj, që pavarësisht nga mosha, ende binte në sy, menjëherë e pyeta se mos po flisnim me vetë kampionen e Italisë dhe lojtaren e dikurshme të përfaqësueses “axurre”!?… “Po, – mu përgjigj”, – krejt e çuditur ajo, duke shtuar ndërkohë “se si kishte mundësi që një shqiptar ta dinte këtë fakt, që sipas saj, edhe vetë e kishte harruar”!?…

Pastaj, sikur të ishim marrë vesh me kohë, u ulëm në të parin stol që kishim më pranë dhe për pak minuta, sepse nuk kisha shumë kohë për të qëndruar, ashtu me shpejtësi, pa pasur me vete asnjë gjë për të shkruar apo regjistruar, munda t’i bëja disa pyetje për të zhbiruar më shumë rreth jetës së saj, që ajo Imelda Prenushi, me kënaqësinë se isha i pari shqiptar që po e “intervistoja”, pranoi të më përgjigjej…

I gjithë rrëfimi i saj ishte një lloj malli për të kaluarën e saj të përzier me kujtimet për sportin kur ajo lulëzonte si kampione e Italisë me ekipin triestin si dhe për prindërit dhe miqtë e shokët e shumtë që tashmë nuk jetonin. Dhe i shkëlqenin sytë kur kujtonte se që 13 vjeç ishte nderuar me një trofe që e ruante ende si gjë të çmuar, kur e kishin shpallur si lojtaren më të mirë të një turneu moshash. Pastaj kishin ardhur ndeshje të tjera edhe më të forta dhe më të vështira ku Imelda me shoqet e saj të ekipit ishin kurorëzuar disa herë me titullin kampione të Italisë. Për të mbërritur deri te ndeshjet ndërkombëtare me përfaqësuesen “axurre” me të cilën luajti ndaj shumë vendeve si Jugosllavia, Polonia… e deri në finalet e një Europiani…

Imelda 2

E martuar me Carlo Fait, një gazetar i hershëm i “Corriere della Sera”, autor i disa librave, njëri edhe për historinë e Shqipërisë (!?), Imelda solli në jetë katër vajza pa e ndjekur asnjëra prej tyre rrugën e saj në sport, por duke studiuar për mjekësi, arkitekturë dhe fusha të tjera, për të cilat ajo ndihej krenare. I ati i saj Rroku, kishte mbërritur herët, andej nga fillimi i viteve 20, nga Shkodra e tij në Trieste ku ishte marrë në fillim me tregti, derisa më vonë arriti të bëhej edhe konsull i Shqipërisë atje. Imelda u lind dhe u rrit atje, në Trieste, me prindër shkodranë, për t’u bërë më vonë edhe kampione e Italisë në sportin e basketbollit…

Prej shumë e shumë vitesh, kampionia e dikurshme dhe titullare e formacionit axurr, Imelda Prenushi jeton në Milano, por, siç tha ajo, Triesten nuk e harron kurrë, prandaj shkon atje çdo verë me të shoqin, për të kaluar pushimet, siç kishte bërë edhe tani, kur fati e solli që të takohesha me të… Kaq ishte e gjitha çka fola me të, dhe për t’mos harruar diçka nga ajo bisedë, sapo zura vend në avionin e linjës Trieste-Tiranë, menjëherë nisa t’i hedh në bllok ato që sapo i kisha përjetuar nga takimi me atë zonjë të nderuar, duke menduar se pas kësaj “historie”, Besnik Dizdari do të ketë më shumë mundësi që ta shkruajë më gjerë dhe më mirë vazhdimin e saj…

Trieste-Tiranë, gusht 2010.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"