Njoftoi largimin nga Lushnja, flet Mikel Canka: Padrejtësi, më mbajtën gjysmën e rrogës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2020 | 11:08

Njoftoi largimin nga Lushnja, flet Mikel Canka: Padrejtësi, më mbajtën gjysmën e rrogës

Mikel Canka largohet nga Lushnja. Sulmuesi nuk do të jetë më pjesë e verdhejeshilëve dhe lajmin e ka komunikuar dje në mëngjes, me anë të postimit të ndierë në faqen e tij në “Facebook”. Ai rrëfente se vendimin e mori pa dëshirë, por nuk mund të qëndronte me padrejtësitë që i ishin bërë nga ana e klubit. Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi për të mësuar diçka më shumë rreth këtij “divorci” dhe ka qenë vetë 33-vjeçari që ka treguar të vërtetën.

canka

Njoftuat largimin nga Lushnja. Çfarë e detyroi Cankën që të merrte një vendim të tillë?

Ishte një vendim i marrë kundër dëshirës sime. Unë kam dalë në fushë me Lushnjën që në ditën e parë, më 10 gusht. Fillova të stërvitem normalisht, pasi kontrata për sezonin e ri nënshkruhet më vonë. Pas tri ditëve unë nuk dola më…

Cila ishte arsyeja?

Arsyeja është që neve na kaluan pagat e muajit korrik. Nga pandemia patëm një shtesë dymujore, pasi siç dihet kontrata skadonte më 31 korrik. Pashë, që mua më kishin hedhur 150 mijë lekë (të vjetër), në një kohë që pagën bruto e kam 300 mijë lekë (të vjetër). Përveçse nuk e kisha rrogën e plotë, nuk më kishin hedhur as dietën ushqimore. Edhe me premiot, që janë të parashikuara në kontratë, jemi pak prapa. Sikur të mos mjaftojnë vështirësitë dhe temperaturat e larta, të marrësh 150 mijë lekë pagë dhe pastaj të presësh për të tjerat, mua nuk më duket e drejtë. Nuk mund t’i pranoj padrejtësitë në kurrizin tim.

canka

E vështirë ndarja me ekipin e zemrës?

Patjetër. Unë kam dhënë shpirtin për këto ngjyra, sikundër edhe e kam pohuar. Nuk dua të flas më tepër seç më takon, kështu që i uroj shumë suksese Lushnjës.

Cilat janë planet për të ardhmen, do të vazhdoni të luani?

Unë e kam shumë pasion futbollin, sidomos skuadrën e Lushnjës, që unë e kam skuadrën e zemrës. Momentalisht, unë jam lojtar i lirë dhe pres ofertat, që të më jepet mundësia të zgjedh skuadrën time të re dhe të vazhdoj të luaj.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"