Njeriu i mrekullive, Ramos: Krosimet nga Modriç janë magjike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2016 | 12:34

Njeriu i mrekullive, Ramos: Krosimet nga Modriç janë magjike

Kroson Luka Modriç. Serxho Ramos kërcen mbi të gjithë dhe e ndal topin në rrjetë duke shënuar golin që shpëtoi Realin. Një gol fotokopje si ai i finales së Lisbonës, ku madrilenët barazuan në minutat e fundit Atletikon e Madridit. Është sërish i njëjtë shpëtimtari i “galaktikëve”.

Ramooos

Nuk është hera e parë që mbrojtësi madrilen ka qenë një hero i heshtur për skuadrën e tij. Gjithçka nisi në Lisbonë, kur ekipi ishte duke humbur, por një skemë e Ançelotit në minutat e fundit u ekzekutua në mënyrë perfekte nga Ramos. Barazimi 1-1 i hapi rrugë shtesës dhe Reali arriti të shënonte edhe 3 gola të tjerë, duke fituar Champions-in e dhjetë.

Historia u përsërit në verën e këtij viti, kur numri 4 i madrilenëve arriti të barazonte sërish një ndeshje në minutat e fundit kundër Sevijes. Kapiteni arriti ta shpëtonte ekipin nga humbja, por më vonë Reali arriti të kurorëzohej superkampion i Europës. Në klasike, shpëtimtari Ramos u shfaq edhe një herë për të bërë detyrën e tij si një sulmues i vërtetë përpara portës kundërshtare. “Batmani” Ramos nuk zhgënjeu as këtë herë, duke u bërë lideri i skuadrës dhe heroi i Realit të Madridit.

Ramos gol Clasico

Reagimi

Kapiteni i “galaktikëve” është shprehur shumë i lumtur për golin e shënuar në klasike, por edhe për rezultatin që ekipi i tij arriti të merrte. “Ishte e rëndësishme të mos e humbnim këtë ndeshje dhe të vazhdonim të merrnim rezultate pozitive. Ekipi bëri një punë të shkëlqyer. Ishte e vështirë, por arritëm të bënim një ndeshje të mirë. Rezultati nuk ishte shumë pozitiv, sepse duhej ta kishim fituar. Në fund erdhi një krosim i shkëlqyer dhe magjik nga Luka (Modriç) dhe unë nuk mund ta gaboja. Jam shumë i lumtur për këtë gol”, tha Ramos. Kapiteni analizoi të gjithë sfidën.

“Të dyja skuadrat luajtën mirë dhe bënë presion për ta fituar këtë ndeshje. Në pjesën e parë patëm shumë raste, por na mungoi efikasiteti përpara portës kundërshtare. Jam i kënaqur që arritëm të mbanim këtë diferencë pikësh. Kjo gjë është si një çmim për punën e madhe që kemi bërë gjatë kësaj kohe. Nuk duhet të mendojmë që e kemi fituar kampionatin, sepse do të ishte çmenduri. Kemi shumë ndeshje të tjera përpara”, vazhdoi më tej kapiteni i Realit.

Ramos foli edhe për rivalitetin e kësaj ndeshjeje. “Është i bukur dhe më vjen mirë që këtë herë qëndroi vetëm në aspektin sportiv. Duhet t’u japim shembull të tjerëve. Është një ndeshje që ka impakt të madh dhe nuk duhet të tregojë anë negative”, përfundoi Ramos. Në fundin e sfidës, ai postoi disa foto ku skuadra po festonte në dhomat e zhveshjes.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"