Njeriu i momentit te Teuta, Lorenco Vila “prenoton” 15 gola: Në të njëjtën situatë ishim edhe vjet, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2021 | 13:53

Njeriu i momentit te Teuta, Lorenco Vila “prenoton” 15 gola: Në të njëjtën situatë ishim edhe vjet, por…

Teuta nuk fitoi ndaj Skënderbeut, por ama rigjeti një prej elementëve më cilësorë që ka pësuar në këto vitet e fundit. Bëhet fjalë për Lorenco Vilën, i cili pas dëmtimit që pësoi në kavilje gjatë ndeshjes kundër Sherif Tiraspolit në Ligën e Kampioneve, qëndroi për afro 3 muaj jashtë fushave. Sulmuesi 22-vjeçar shënoi dy gola të mrekullueshëm ndaj Skënderbeut, por durrsakët nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2. Në intervistën për “Panorama Sport”, durrsaku foli për disa tema rreth tij dhe Teutës, teksa theksoi se dëshiron që këtë sezon të shënojë 15 gola, paçka se nuk është qendërsulmues tipik.

LORENCO VILA

Lorenco, pas disa muajsh vuajtje jeni rikthyer protagonist me fanellën e Teutës. A mund të themi se tashmë jeni në formën më të mirë?

Unë u dëmtova rëndë që në muajin korrik në Ligën e Kampioneve ndaj Sherifit dhe kanë qenë vërtet disa muaj shumë të vështirë. Jam rikthyer nga një dëmtim i rëndë, por tani jam shumë mirë. Po vij në formë dhe gjithmonë do të jap maksimumin për ekipin. Çdo lojtar ka gabimet e veta dhe duhet të përmirësohet. Gjithmonë punoj për t’u përmirësuar. Të gjithë mund të mendojnë se jam i lumtur, por jo. Nuk jam i kënaqur, sepse pavarësisht se shënova dy gola, nuk ishte një rezultat që dëshiroja ndaj Skënderbeut.

Çfarë nuk shkoi ndaj Skënderbeut, që edhe pse e kthyet rezultatin, sërish u barazuat në fund?

Edhe Skënderbeu është një ekip shumë i fortë, pasi ka treguar se di të luajë futboll dhe të fitojë ndeshje. Në pjesën e parë kishim disa raste, ndërsa në pjesën e dytë dhamë gjithçka dhe kthyem ndeshjen, por nuk arritëm të ruanim rezultatin.

Të premten do të luani ndaj Partizanit, si e shikoni këtë takim?

Të gjitha skuadrat i respektoj maksimalisht dhe i vlerësoj njësoj, por me Partizanin, normalisht, ka diçka më tepër. I kemi mundur në Elbasan dhe në ndeshjen e radhës do të shkojmë gjithashtu për të fituar, pasi Teuta gjithmonë luan për të marrë tri pikë në çdo takim.

Si do e cilësoni fazën e parë të këtij kampionati, ku skuadra grumbulloi vetëm 13 pikë?

Normale që kishim mundësi të bënim më mirë në 9 ndeshjet e para, por nuk ia arritëm. Nuk mund të fajësojmë askënd, por në një situatë të tillë ishim dhe një sezon më parë dhe arritëm të shpalleshim kampionë. Të shohim ndeshjet e mbetura dhe të marrim sa më shumë pikë, pasi çfarë ka kaluar nuk mund ta kthejmë më pas.

Cili është objektivi juaj personal këtë sezon?

Kam shënuar dy gola, por më shumë dua të ndihmoj ekipin. Le të shënojnë të gjithë. Nuk ka shumë rëndësi autori. Unë personalisht dua të shënoj 10 gola, por pse jo mos të shkojë në shifrën 15. Shpresoj që së pari të mos kem më dëmtime.

Cili është idhulli juaj botëror që ju frymëzon?

Kënaqem duke parë Kristiano Ronaldon. Shikoj shpesh videot e tij, pasi jam edhe tifoz i Mançester Junajtidit. Kjo më shtyn më tepër që ta shikoj, sepse ai është një profesionist i madh që më pëlqen shumë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"