Njeriu i momentit te Skënderbeu, portieri Dajsinani: Nuk kemi liderë, por grintë për të fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 21:06

Njeriu i momentit te Skënderbeu, portieri Dajsinani: Nuk kemi liderë, por grintë për të fituar

Skënderbeu mori fitoren e parë në kampionat dhe normalisht që ekipi tashmë është më i qetë psikologjikisht. Korçarët pas tri javësh numërojnë një fitore, një humbje dhe një barazim ndërsa presin në shtëpi ndeshjen e radhës përballë Kastriotit. Por, nëse Skënderbeu është i qetë dhe u kthye me tri pikë nga Ballshi pa dyshim që merita është e gjitha e gardianit bardhekuq. Mario Dajsinani ishte hero i korçarëve në këtë takim duke bërë ndërhyrje decizive veçanërisht në pjesën e parë dhe mbi të gjitha duke pritur një penallti në pjesën e dytë kur rezultati ishte i fiksuar në shifrat 0-0. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Dajsinani komenton takimin e fituar në Ballsh dhe sipas tij do të shërbejë si një pikënisje për të tjera rezultate pozitive. Për gardianin bardhekuq, ky takim duhet të merret si shembull dhe të shërbejë si pikë qëndrimi për korçarët.
Dajsinani
“Fitorja në Ballsh ishte shumë e rëndësishme për ne dhe normalisht që diçka e tillë shijon kur vjen në transfertë për herë të parë. Kishim shkuar atje me qëllim të qartë dhe për fat ia arritëm të merrnim maksimumin. Nuk dua të ndaj merita, pavarësisht se unë prita atë 11-metërsh, që mund të ndryshonte lojën, pasi ndeshja ishte e bllokuar në 0-0. Por të gjithë kemi bërë një ndeshje të mirë. Ky Skënderbe, ndryshe nga vitet e kaluara, ka ndryshime të mëdha. Nuk kemi lidera, por shumë grintë dhe dëshirë për të bërë maksimumin. Kjo besoj se solli edhe fitoren në ndeshjen e fundit. Ishte shumë e rëndësishme për ne, pasi ishte fitorja e parë pas një pike të marrë në dy javët e para të kampionatit. Gjithsesi, tashmë e kemi lënë pas atë takim të fituar dhe duam ta përsërisim edhe në ndeshjen e radhës, që do të luhet nesër në Korçë”, tha fillimisht Dajsinani për “Panorama Sport”.
Kastrioti-Apolonia
KASTRIOTI – Ndeshja e radhës për Skënderbeun do të jetë ndaj Kastriotit dhe për Dajsinanin është një nga ato takime që duhen zhbllokuar shpejt për të qenë të sigurt për pikët maksimale. Vështirësia sipas portierit të Skënderbeut qëndron te menaxhimi i presionit dhe kundërshtarit që do të jetë shumë i vështirë për t’u çarë pas. “Është një tjetër ndeshje e fortë dhe mund të them se është nga më të vështirat që do të luajmë në shtëpinë tonë. E them këtë, pasi Kastrioti sapo ka hyrë në Superiore dhe do të vijë në Korçë për të mos dalë pa pikë. Duke pasur parasysh cilësitë e Skënderbeut të viteve të fundit, do të vijë këtu për të mbrojtur rezultat dhe kjo është diçka që për ne kthehet në problem. Prandaj, mendoj se sa më shpejt të zhbllokojmë takimin, aq më mirë do të jetë për ne. Kemi objektiv të qartë për të vijuar me rezultatet pozitive. Kampionati këtë sezon është i fortë dhe i ashpër, prandaj duhet të marrim ndeshje pas ndeshjeje më të mirën e mundshme”, përfundoi portieri Dajsinani.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"