Njeriu i momentit, Suso analizon “Djallin”: Milani ka ADN spanjolle, Gatuzo numri një

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 22:45

Njeriu i momentit, Suso analizon “Djallin”: Milani ka ADN spanjolle, Gatuzo numri një

Përveçse ka marrë për dore Milanin në ndeshjet e fundit dhe pret të bëhet baba, sulmuesi ka gjetur hapësirën e tij edhe në kombëtare. Është momenti i Hezus Susos dhe e përditshmja iberike “Marca” e ka intervistuar 24- vjeçarin, që ka folur pa doreza për një rrëfim në 360 gradë.

suso

Titullar ndaj Uellsit dhe ndaj Anglisë, ndërkohë që në grumbullimin e shtatorit nuk luajtët asnjë minutë. Si ndiheni?

Doja të luaja, fanella e Spanjës është një ëndërr dhe jam shumë krenar. Trajneri Enrike më ka folur gjithnjë haptazi, ndaj nuk kam pritur apo kërkuar kurrë shpjegime sepse i njoh detyrat e mia. Ndaj Anglisë do të kem përballë disa shokë nga koha e Liverpulit. Anglisë si vend i jam mirënjohës sepse kam mësuar shumë gjëra.

Ku qëndron ndryshimi mes lojës së Milanit dhe kombëtares?

Stile të ngjashme, ndaj do të thosha që ka pak dallime. Jam pjesë e dy skuadrave që e mbajnë shumë topin dhe ku më kërkohet të dribloj e të synoj qendrën. Për nga mënyra sesi luaj dallohet që jam spanjoll.

A argëtohen futbollistët në Serinë A?

Patjetër, përndryshe do të bënin një tjetër zanat. Për lojtarët ofensivë, futbolli italian është i vështirë, pasi mbizotëron taktika dhe organizimi. Në Itali mbase nuk gjen futbollistët me teknikë të planetit, por me siguri gjen më taktikët. Si te Milani, ashtu edhe te Xhenoa kam mësuar shumë dhe kjo më ka bërë lojtar më të mirë.

Çfarë trajneri është Xhenaro Gatuzo?

Si në stërvitje, ashtu edhe nëpër ndeshje dallohet për pasionin dhe intensitetin. Jashtë kangjellave të “Milanello”-s është një njeri tjetër, me të cilin mund të flasësh për gjithçka. Si njeri pa dyshim që flasim për një numër 1.

Përse kombëtarja italiane po vuan kaq shumë në rezultate?

Mendoj se kjo vjen sepse janë një grup i ri në moshë dhe me pak përvojë në ndeshje të rëndësishme. Te Spanja ka shumë ikona dhe mbase Italisë është pikërisht kjo që i mungon. Skuadra e Mançinit ka cilësi dhe të gjitha mundësitë për t’u bërë e madhe.

A do të ketë goli i radhës një dedikim special?

Po, ndaj gruas dhe Alesios, djalit që pres të më lindë pas katër javësh. Bëra dy gola ndaj Sasuolos dhe më erdhi keq që nuk u kujtova t’ua kushtoja atyre, por vinim nga tre barazime dhe momenti ishte delikat. Nuk ishte koha e duhur për festa të këtij lloji.

Si është situata në klub?

Tani shumë më e qetë. Pas katrahurës që bënë kinezët, me amerikanët gjithçka është kthyer në normalitet. Në klub kanë ardhur Maldini dhe Leonardo, njerëz që e njohin mirë futbollin dhe Milanin.

A keni marrë ndonjë këshillë të veçantë nga Paolo Maldini?

Është një person që sheh shumë dhe flet pak, por që imponohet vetëm me veprimet e tij. Na qëndron gjithnjë pranë, por është e vështirë t’i flasësh për t’i kërkuar këshilla.

Çfarë bën Suso kur ndodhet në shtëpi?

Jetoj në një qytet ku më pëlqen gjithçka. Në shtëpi rri në divan dhe relaksohem duke parë ndonjë film ose një program, sepse nuk preferoj të shoh futboll.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"