Njeriu i momentit, Grezda: Me Panuçin përshtatem më mirë, ja ç’më tha Kielini në fundin e ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2017 | 9:35

Njeriu i momentit, Grezda: Me Panuçin përshtatem më mirë, ja ç’më tha Kielini në fundin e ndeshjes

Është njeriu i momentit. Për të treguar që 90 minutat kundër Italisë nuk ishin thjesht një shkëndijë e rastësishme, Eros Grezda ka arritur që të shtangë edhe Kroacinë. Pavarësisht se në moshë fare të re, shqiptari ka realizuar për të tretën herë kundër gjigantëve kroatë, Dinamos së Zagrebit.

Grezda

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mesfushori i avancuar i Osijekut tregon emocionet dhe ndjesinë për golin e radhës në kampionat, dedikimin me zemër, formën e momentit, vëzhgimin nga menaxherë nëpër të gjithë botën si dhe Kombëtaren. Grezda tregon diferencën në mënyrën e lojës mes Panuçit dhe De Biazit.

Një gol me qetësinë prej veterani kundër Dinamos së Zagrebit. Çfarë ndjesie ishte?

Kur shënon kundër Dinamos së Zagrebit, i cili është një klub i madh në Kroaci, është gjithmonë një ndjenjë e mirë. Unë e kam bërë tri herë deri tani këtë gjë. Shpresoj që t’i shënoj edhe në të ardhmen Dinamos, të mos jetë i fundit gol përballë tyre.

Keni bërë një festë me zemër i ulur në gjumë. Për kë shkoi dedikimi kaq special?

Po, në fakt, ishte diçka vërtet speciale pasi familja ime kishte ardhur në stadium nga Kosova për të më mbështetur dhe ishte mënyra më e mirë për t’i falënderuar. Prandaj edhe golin ua dedikova atyre.

Në ndeshje të tilla, sidomos kur luan Dinamo e Zagrebit, menaxherët janë të shumtë nëpër stadiume… E menduat këtë fakt kur hytë në fushë?

Jo, nuk e mendova dhe nuk e çoj asnjëherë nëpër mend këtë punën e menaxherëve kur jam në fushë. Kur hyj në fushë, e kam mendjen vetëm te detyrat që kam, te puna ime dhe te fakti që duhet të bëj sa më mirë. Nuk më ndikon aspak një fakt i tillë.

grezda

Janë përmendur disa skuadra në Itali që ju kanë vëzhguar, mes tyre edhe Xhenoa. Me kë keni kontaktuar deri tani?

Të them të drejtën, e di që ka interes nga disa klube për mua.

Cilat janë ato?

Nuk mund të them asgjë, më kuptoni. Me atë aspekt merret babai dhe menaxheri im. Unë mundohem të bëj më të mirën e mundshme në fushë, ndërsa në anën tjetër është im atë dhe menaxheri që po merren edhe me këtë aspekt.

Ndaj Italisë, morët vëmendje maksimale. A ndieni presion nga kjo gjë?

Jo, nuk më vendos aspak në presion. Kur unë bëj mirë në fushë, kur zbatoj detyrat e trajnerit dhe tregoj maksimumin tim në ndeshje, është normale që të ketë edhe shkrime, edhe vëmendje, edhe fjalë të shtuara rreth meje. Mirëpo, nuk i marr në konsideratë në kuptimin që të më vendosin në presion.

Eros, a është ky momenti më i mirë në karrierën tuaj?

Është e vërtetë që po kaloj një moment të mirë. Mirëpo, karriera ime sapo ka filluar dhe uroj që të vijoj në këto ritme.

Eros Grezda

Ju personalisht, a keni një skuadër të preferuar apo kampionat ku dëshironi të luani?

Po, kam, kampionati gjerman ose spanjoll janë të preferuarit për mua.

Pas ndeshjes me Italinë, Kielini deklaroi që ju kish kërkuar fanellën. Çfarë biseduat me të?

Po është e vërtetë. Kur mbaroi ndeshja, më thërriti në emër dhe hoqi bluzën e tij. Menjëherë e kuptova se për çfarë bëhet fjalë dhe shkëmbyem fanellat (qesh…).

Me Panuçin, Shqipëria luan më së shumti drejt sulmit. Çfarë ndryshimi vini re në krahasim me lojën e De Bizit dhe sa ju përshtatet?

Po, të them të drejtën, jam përshtatur shumë mirë me lojën dhe aspektin taktik të trajnerit Panuçi. De Biazi ka pasur mënyrën e tij të lojës dhe kemi kaluar shumë mirë edhe me të, mirëpo me Panuçin jam përshtatur më shumë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"