Njeriu i Kupës për Teutën, Kapllanaj: Ishim perfektë në pjesën e dytë, lekët nuk do na mungojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2020 | 10:28

Njeriu i Kupës për Teutën, Kapllanaj: Ishim perfektë në pjesën e dytë, lekët nuk do na mungojnë

Dejvid Kapllanin mund ta quani ndryshe “njeriun e Kupës”. I shënoi Vllaznisë në çerekfinale dhe tashmë Kukësit. I mjaftuan jo më shumë se dy minuta në fushë që të nderonte durrsakët dhe jepte finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë. Sulmuesi është në qiellin e shtatë pak kësaj rrjete dhe nuk ngurron që ta pohojë, teksa foli për “Panorama Sport”.
Kapllani
“Jam jashtëzakonisht shumë i lumtur, është mundi i një sezoni. Për fat, e kapëm finalen e Kupës së Shqipërisë dhe tashmë kemi shansin që të marrin një trofe, i cili do të ishte edhe dhurata më e bukur për 100-vjetorin e klubit tonë. Goli ishte një ndjesi shumë e bukur, jam në qiellin e 7-të. I falënderoj që të gjithë çunat e ekipit dhe presidencën. Tashmë le të mobilizohemi dhe shpresoj që ta sjellim kupën në Durrës”, tha fillimisht “pinjolli” i Kapllanëve.

Durrsakët u transformuan në pjesën e dytë dhe sidomos në 20-minutëshin e fundit. 19-vjeçari rrëfen se përmbysja erdhi si rrjedhojë e përqendrimit dhe zbatimit të këshillave të Edi Martinit. “Nuk është se ndryshoi ndonjë gjë e madhe, e megjithatë ekipi hyri më i përqendruar në fushë dhe kjo dha efektet e veta. Pastaj zbatuam me përpikëri edhe urdhrat e trajnerit, ndaj edhe e bëmë aq perfekte pjesën e dytë”, saktësoi i riu.

Në Durrës do të ketë shpërblim nëse fitohet edhe trofeu, megjithatë Kapllani saktëson se tashmë nuk e kanë mendjen te lekët. “Besoj se do të ketë premio, por më shumë rëndësi tashmë ka që të ngremë kupën. Lekët nuk na kanë munguar dhe as nuk do të na mungojnë”, përfundoi sulmuesi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"