Njëri nga të dy duhet të tërhiqet, te Tirana ka një çështje që quhet “Ze Maria”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2018 | 14:14

Njëri nga të dy duhet të tërhiqet, te Tirana ka një çështje që quhet “Ze Maria”

Çështja me e re te Tirana quhet “Ze Maria”. Nëse tema e ditës duhet të ishte ngjitja në Kategorinë Superiore, kjo nuk po ndodh. Vëmendja është zhvendosur e gjitha te trajneri dhe kaosi i krijuar për të ardhmen e tij. Për të kuptuar këtë, mjaftoi veprimi që bëri në fundin e ndeshjes me Pogradecin. Jo vetëm që nuk festoi arritjen, por braktisi stadiumin i tërbuar.

ze maria

Dhe ky gjest kaq demonstrativ sigurisht që nuk është pa gjë, por një sinjal i fortë që situata mes tij dhe klubit nuk është aspak e qetë, për të mos thënë që raportet po shkojnë drejt një “divorci” zyrtar. Deri më tani bien në sy dy gjëra; pikësëpari pretendimet e vendosura prej tij për rinovimin (synon një ekip për titull) dhe së dyti hezitimi që shfaq klubi.

Tirana edhe pse nuk ia ka mbyllur dyert, ende nuk i ka lënë një datë për t’u takuar. Këtë la të kuptohet edhe vetë presidenti në fjalën e tij të fundit për “Panorama Sport”. Ai qartësoi se do të flasë me trajnerin për rinovimin vetëm pasi të mbyll çështjen e rrogave, por njëherësh kujtoi se ai është trajneri më i paguar në Shqipëri. Dhe nga sa mësohet trajneri merr 5 mijë euro në muaj, ndërsa i gjithë stafi i kushton klubit 7.5 mijë euro.

Një “sms” e qartë e Refik Halilit, që nënkupton se braziliani duhet të jetë disi më i kujdesshëm në këtë drejtim. Kjo situatë e ka zanafillën më të largët dhe hatërmbetjet janë akumuluar ditaditës. Por, fakt është që raportet nuk kanë ardhur duke u përmirësuar, por duke thelluar “hendekun”. Nga burimet e gazetës “Panorama Sport”, situata është e tillë që me 99.9 për qind Ze Maria nuk do të rinovojë dhe logjikisht nuk do të qëndrojë.

Sigurisht që nuk përjashtohet mundësia që papritur të ndodh ndonjë mrekulli dhe në futboll kurrë nuk ka vend për parashikim. Por, që të shkohet në këtë pikë, Ze Maria duhet të ulë pretendimet e veta ose presidenti duhet të bëjë ndonjë supersakrificë financiare, duke ia plotësuar që të gjitha kushtet.

Vetëm kështu mund të bien dakord. Por, deri dje të paktën, mund të thuhet që braziliani praktikisht është i ikur nga Tirana.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"