“Njeri me shpirt luftarak të pakrahasueshëm”, ja çfarë thonë ish-kolegët dhe miqtë për Agustin Kolën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2020 | 16:13

“Njeri me shpirt luftarak të pakrahasueshëm”, ja çfarë thonë ish-kolegët dhe miqtë për Agustin Kolën

Ish-sulmuesi i Tiranës (dikur 17 nëntori) dhe Shqipërisë Agustin Kola gëzon respekt të madh jo vetëm mes ish-kolegëve dhe ish-rivalëve të tij. Targaj, Musta, Mema, Taho, Muça etj. ruajnë konsideratën më të lartë për ikonë bardheblu duke mbetur një shembull për t’u ndjekur brenda dhe jashtë fushës.
kola
Agustin Kola

MUHEDIN TARGAJ: “Si futbollist, Agustin Kola ka qenë ndër më të talentuarit e atij brezi, me shumë grintë e temperament, që rrallë mund të hasen sot. Mua më ka pëlqyer jashtëzakonisht si mbrojtës i majtë, se ka pasur klas, madje kisha shumë dëshirë që të luante me ne te Dinamo në këtë rol, por, gjithsesi, ai ka mbetur në almanakun e futbollit tonë si sulmuesi brilant Agustin Kola. Ka qenë një ndër sulmuesit që e kam pasur të vështirë ta mbuloja, problematik për çdo mbrojtës.
muhedin-targaj-40b068c5-bec6-4461-a705-c0a265681ce-resize-750
Si njeri, ai është një djalë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Është një nga miqtë e mi më të mirë, pasi me Agustinin, të paharruarin Ben Minga, Çim Muçën, Mirel Josën etj., kemi luajtur në ekipin kombëtar dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira, edhe pse Dinamo dhe 17 Nëntori kishin rivalitet të ndjeshëm asokohe në kampionat. E, nëse Agustini më ka quajtur ‘vëllai i madh’ (qesh), ai ësh- të ‘vëllai im i vogël’, pa diskutim”.
perlat musta

PERLAT MUSTA: “Në radhë të parë, dua të flas për Agustin Kolën si njeri. Një djalë i shkëlqyer, që u bë një futbollist i jashtëzakonshëm, njeri i drejtë dhe që i thotë gjërat ashtu siç i mendon. Jemi pak a shumë një moshë dhe njihemi qysh kur kemi qenë diku te rreth 14 vjeç. Ai ka qenë gjithmonë tip i tillë: i drejtpërdrejtë, i pakompromis, rebel, madje dhe në polemikat sportive që kemi pasur, ne kurrë nuk kemi krijuar qejfmbetje karshi njëri-tjetrit. Në fushën e lojës, Agustinin nuk e kam parë asnjëherë si kundërshtar, por si vlerë dhe në të vërtetë ai ka qenë një ndër vlerat më të mëdha të futbollit shqiptar. Kemi qenë kundërshtar në fushë, më të egër se ç’është sot politika, por kemi qenë po aq miq të mirë dhe të ndershëm jashtë fushe. Për lojtarë cilësorë si Kola, është vështirë të gjesh fjalët e duhura, pavarësisht ekipeve ku kanë luajtur. Ata përfaqësojnë vlerat më të mira të futbollit shqiptar ndër vite”.
Hysen-Dedja-e-pranon-Lushnja-do-merkato-por...

HYSEN DEDJA: “Agustin Kola është futbollist i brezit tim dhe di të flas me kompetencë të plotë për të. Një ego si rrallë futbollist shqiptar, duke futur këtu dhe cilësinë që kishte në stërvitje dhe në lojë. Janë të rrallë këta futbollistë në Shqipëri dhe më gjerë, që të kenë një ego të tillë sportive. Agustini e ka pasqyruar në të gjitha ndeshjet dhe në jetëgjatësinë e tij në futboll. Vazhdon edhe sot me të njëjtën ego, si trajner apo teksa flet në intervista për Tiranën apo dhe futbollin shqiptar në përgjithësi. Nga ana tjetër, Agustini është njeri shumë i dashur dhe human, kuptohet që unë nuk e kam vetëm nga futbolli dhe ruaj respekt tepër të madh për të. Është i drejtpërdrejtë, çka, ndoshta, në momente të veçanta, i ka prishur punë”.
rrapo taho

RRAPO TAHO: “Me Agustin Kolën jemi bashkëmoshatarë dhe jemi njohur shumë shpejt, qysh me ekipet kombëtare të të rinjve. Një njeri i thjeshtë, një djalë i çiltër, simpatik dhe i apasionuar pas futbollit. Pavarësisht se ne luanim në dy ekipe të ndryshme, më ka krijuar një impakt pozitiv qysh atëherë dhe u admiruam me njëri-tjetrin. Agustini ka qenë një lojtar me parametra shumë të lartë, që vërtet ka merituar ekipin e 17 Nëntorit dhe atë kombëtar, kjo falë cilësive të padiskutueshme.

Ai gjithmonë ka qenë sportist me motivacion dhe shpirt luftarak të pakrahasueshëm. Kam parasysh në Kombëtare; ne që vinim pak më të ndrydhur, lojtarë të rretheve, Agustini na motivonte dhe na mbushte plot besim, ishte një shpirt kurajoz. Ai i ka dhënë shumë 17 Nëntorit dhe futbollit kombëtar, ndaj meriton fjalët më të mira, madje çdo vlerësim do të stepej para asaj që Agustin Kola ka bërë në fushën e blertë”.
romeo_haxhiaj_pasgolitsized

ROMEO HAXHIAJ: “Agustin Kola është simboli i futbollit shqiptar në vitet ’80: karakter, grintë, shpejtësi, forcë, goditje. Një futbollist që ka bërë epokë në Tiranën e lavdishme të atyre viteve, duke krijuar një dyshe të bukur me të ndjerin Arben Minga. Jo vetëm te 17 Nëntori, por edhe në Kombëtare mbetet një ndër sulmuesit kryesor dhe historik. Por ajo që e portretizon më shumë figurën e tij, është të qenët një nga njerëzit dhe nga djemtë më fisnikë që unë kam njohur personalisht, njeri i dashur, njeri korrekt, por mbi të gjitha është njeri i drejtpërdrejtë, person që gjithçka e thotë nën të vërtetën që e vlerëson si të tillë. Kam pasur fatin jo vetëm që të luaj pak vite me të, sepse Agustini ka qenë në fund të karrierës, por e kam pasur edhe shok e mik, shtuar edhe licencimet që kemi bërë në nivelet B dhe A. Dhe unë e them me zë të lartë se kam njohur nga afër një njeri dhe profesionist të mrekullueshëm si ai, Agustin Kola”.
Sulejman Mema

SULEJMAN MEMA: “Unë e vlerësoj shumë Agustin Kolën, si në anën sportive, ashtu dhe atë njerëzore. Pati një karakter të fortë, një njeri që u rrit me mund dhe me halle, si gjithë të tjerët, por që në fund fare ia doli që të bëhej figurë e rëndësishme e Tiranës dhe e futbollit shqiptar në përgjithësi. Ishte korrekt në marrëdhëniet shoqërore, edhe pse në momente të caktuara dilte pak jashtë kornizave, për shkak të karakterit të fortë dhe rebel që posedonte, por vlerat nuk i kanë munguar kurrë në mënyrën si luajti, kontributin që ka dhënë dhe nivelin e lartë që ka treguar. Është një figurë e spikatur. Ishte shumë trim, sidomos në ndeshjet e transfertës. Asnjëherë nuk hapte rrugë dhe karshi kundërshtarëve ishte shumë i rreptë, por jashtëzakonisht korrekt në atë kuadratin e kornizës sportive. Ndoshta pak kapricioz, që jo rrallë e dëmtonte, por asnjëherë nuk e cenonte kualitetin e Agustin Kolës”.
Shkelqim-Muca1-490x276

SHKËLQIM MUÇA: “Agustin Kola, legjendë e ekipit të 17 Nëntorit të asokohe dhe krejt Tiranës, një njeri që e ka gdhendur emrin e tij te ky klub me punën e tij, me cilësitë që ka pasur si futbollist, me golat e shumtë që ka shënuar dhe padyshim është në ‘librin e artë’ të klubit. Unë kam pasur kënaqësinë të kaloj një kohë të gjatë të përvojës sime futbollistike, thuajse gjithë karrierën, duke qenë bashkëlojtarë dhe ruaj vlerësimet më të larta për të. Kam luajtur me një dyshe fantastike sulmuese, Kola e Minga, natyrisht kam qenë sulmues i tretë ose një mesfushor pas tyre dhe kam pasur kënaqësinë që kam luajtur me ta. Agustini ka qenë një superfutbollist, me një karakter shumë të fortë, një njeri që stërvitej gjithmonë në maksimum dhe në ndeshje jepte gjithmonë më të mirën e tij, një futbollist që kishte ego për të shënuar, dilte ‘i mërzitur’ edhe nëse ekipi fitonte, por ai nuk shënonte. Që në minutat e para e gjer në ‘bilbilin e fundit’, ai sulmonte golin, një nga lojtarët që dinte ta tërhiqte skuadrën. Ai kishte shpirtin e sakrificës për ekipin, fuste kokën atje ku të tjerët fusnin këmbën, një futbollist që nuk njihte kompromis me asnjë lloj lojtari, në kuptimin sportiv të fjalës, një agresivitet dhe grintë të jashtëzakonshme në fushë, fokusi i tij gjithmonë ishte porta. Në aspektin e cilësive, ishte absolut në ajër, një nga futbollistët më të fortë të viteve ’80, shumë i fuqishëm dhe shumë i saktë. Pra, në përmbyllje, mund të them se Agustin Kola ka qenë dhe mbetet një nga yjet e futbollit të Tiranës, bashkë me Tit Dibrën, Ben Mingën etj., si dhe një nga shënuesit më të mirë të historisë së këtij klubi”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"