Një zyrtar me COVID te Lushnja, portieri veteran Spaho: Ia kemi marrë dorën Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 12:11

Një zyrtar me COVID te Lushnja, portieri veteran Spaho: Ia kemi marrë dorën Besës

Lushnja do vendin e dytë dhe që t’ia dalë, duhet të kalojë pengesën me emrin “Besa”. Skuadra ka mbyllur përgatitjet nën drejtimin e Judmir Gaxhelit (pasi trajneri Ilir Gjyla nuk është kthyer ende në stërvitje pas fatkeqësisë që i ndodhi) dhe është zyrtarisht gati për të zbritur në fushën e Pezë-Helmësit sot. Verdhejeshilëve u bën punë vetëm trepikëshi për të kaluar në renditje një rival direkt. Lushnjarëve do t’u mungojë mbrojtësi Valeri dhe portieri Kaloshi. I pari është me kartonë, ndërsa i dyti nuk është rikuperuar ende 100% nga dëmtimi dhe i duhet ende pak kohë që të jetë titullar. E megjithatë, mendon Mikel Spaho që të garantojë katërkëndorin. Për “Panorama Sport” ai e cilëson një sfidë të hapur, megjithatë përmend si “bonus” anën psikologjike prej statistikave.
Spaho
“Lushnja është përgatitur sistematikisht gjatë periudhës së ndërprerjes midis dy fazave. E dimë që kemi të bëjmë me një ndeshje shumë të fortë, por jemi gati. Do të jetë një sfidë e hapur, në kushte të barabarta dhe të tria rezultatet janë të mundshme. Ne kemi me vete anën psikologjike, sepse e kemi mundur Besën edhe në fazën e parë, por në të njëjtën kohë edhe 4 herë sezonin e shkuar. Megjithatë, ndeshja pritet të jetë shumë e fortë dhe e hapur. Një përplasje midis dy skuadrave nga më të mirat e grupit. Nisur nga situata në renditje, rezultati pozitiv është i domosdoshëm për ne. Kemi besim se nuk do të dalim pa pikë nga ky takim. Ta fillojmë kampionatin me rezultat pozitiv”, përfundoi portieri, që në verë mbush 39 vjeç. Ai ka luajtur 45 minuta këtë sezon në ndeshjen e fundit Lushnja-Turbina, kur edhe pësoi një gol nga pika e bardhë e penalltisë.

SEKRETARI KOÇI ME COVID
EDISON KOCI

Sekretari i klubit të Lushnjës, Edison Koçi, ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Ka qenë vetë ekzekutivi lushnjar që për gazetën deklaroi: “Pas testimeve, përgjigjja doli pozitive. Nuk kam ndonjë shqetësim dhe e ndiej veten mirë, por jam vetizoluar në shtëpi për të plotësuar ditët e karantinimit. Pasi të kem plotësuar ditët, do të rikthehem në detyrë. I uroj suksese skuadrës për nesër (sot)”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"