Një “zgjidhje” për Flamurtarin, Deliaj: Të mos bjerë asnjë ekip, FSHF të ndjekë shembullin e Maqedonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 18:58

Një “zgjidhje” për Flamurtarin, Deliaj: Të mos bjerë asnjë ekip, FSHF të ndjekë shembullin e Maqedonisë

Fjoralb Deliaj ishte titullar i pazëvendësueshëm te Flamurtari, por u largua drejt Maqedonisë për një aventurë të re. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, Deliaj apelon se për t’u ringritur klubi duhet t’u besojë lojtarëve vlonjatë. Mbrojtësi thotë se nuk duhet të shikohet si dramë rënia nga kategoria, pasi situata të tilla e bëjnë më të fortë klubin. Por vlonjati ka edhe një mesazh për FSHF që të marrë shembullin e Maqedonisë dhe të mos rrëzojë asnjë ekip nga Superliga këtë sezon dhe të ndryshojë skemën. Të ardhmen e shikon mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa nuk i mungojnë ofertat.deliaj

Fjoralb, e prisnit që Flamurtari të binte nga kategoria?

Dua të them se më vjen shumë keq. Jo vetëm që është ekipi i qytetit tim dhe se është një klub me traditë, por kam kaluar një periudhë të gjatë dhe mjaft të mirë. Ju e dini që sezonin e shkuar te Flamurtari kam qenë titullar i rëndësishëm në ekip dhe thuajse kam luajtur në të gjitha ndeshjet e kampionatit. Jam aktivizuar në mbi 25 ndeshje, me përjashtim të pak takimeve kur u dëmtova. Nuk e prisja që do të shkonin gjërat kështu, që ekipi të binte. Por nuk është fundi i botës. Po t’i kthehemi historisë pas, Flamurtari ka rënë një kategori më poshtë edhe herë tjetër. Po ashtu nga kategoria kanë rënë edhe ekipe të njohura në botë. Ndaj nuk duhet të shikohet si dramë, por si një mundësi për t’u ringritur edhe më të fuqishëm dhe më të fortë.

Kush mban përgjegjësi për këtë situatë te Flamurtari?

Them se nuk është koha që të flasim për përgjegjësi, por për mënyrën se si klubi duhet që të ringrihet. Të gjithë aktorët të cilët e kanë për detyrë mbarëvajtjen e situatës te Flamurtari duhet që të mendojnë për një plan se si të ringrihet klubi.

Cila do të ishte strategjia për ta ringritur Flamurtarin?

Besoj se ka ardhur koha që duhet t’u besojnë lojtarëve vlonjatë. Ka elementë shumë cilësorë, të cilët do t’i bënin mirë ekipit të parë. Them se me lojën dhe mentalitetin vlonjat, ekipi do ta kalojë shumë shpejt këtë situatë. Lojtarët vlonjatë janë më të përgjegjshëm. Nuk e shikojnë klubin për të marrë lekët dhe për të ikur. Por derdhin djersën për atë fanellë dhe luajnë me shpirt.

Po diskutohet nëse duhet që të ndryshojë ose jo skema e kampionatit. Ju çfarë mendoni?

Jam plotësisht dakord që të ndryshojë. Janë shumë pak ekipe. Me rënien e Flamurtarit dhe Luftëtarit, i bie që jugu të mos përfaqësohet fare në Superligë. Kjo është pa sens. Ndaj them që ta ndryshojnë që tani, ta bëjnë me 12 ose 14 ekipe. Të marrin shembullin e Maqedonisë që nuk ra asnjë ekip këtë sezon. Kjo ishte një situatë emergjente nga Koronavirusi dhe paralizoi gjithçka, përfshirë edhe sportin, ndaj duhet marrë në konsideratë kjo. Në fundjavë luhet me Luftëtarin.Deliaj

Si e shikoni këtë ndeshje?

Jam i sigurt se në këtë ndeshje do të fitojë Flamurtari.

Si u mbyll kampionati në Maqedoni?

Për shkak të situatës së krijuar nga “COVID-19”, federata atje vendosi që kampionati të mos vazhdonte më. Pra, nuk filloi. Kishin mbetur 13 ndeshje në kampionat dhe Kupa e Republikës. Nuk u luajtën për shkak të situatës së krijuar. Asnjë ekip nuk ra nga kategoria, ndërsa nuk u shpall asnjë kampion.

Gjatë mbylljes së kufijve qëndruat në Maqedoni, si ishte ajo periudhë?

Po është e vërtetë. Kam qëndruar në Strugë i ngujuar. Gjatë gjithë kohës kam qëndruar me Klinsman Caken. Kemi qenë bashkë te Tirana dhe ishim bashkë edhe te Struga. Ishim në një shtëpi dhe kështu që e kemi kaluar me njëritjetrin këtë situatë që ishte shumë e vështirë. Me t’u rregulluar situata dhe u hapën kufijtë, u nisëm drejt Shqipërisë dhe jam në Vlorë pranë familjes sime.

Do të riktheheni në Strugë apo keni të tjera plane?

Nuk e kam vendosur akoma se çfarë do të bëj për të ardhmen. Jam në kontakte nga disa ekipe të Superligës në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Jam duke pritur që të përfundojnë kampionatet dhe më pas do të vendos se çfarë do të bëj dhe se te cili ekip do të shkoj.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"