Një yll dhe shumë gola, të veçantat e sezonit për Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2017 | 19:07

Një yll dhe shumë gola, të veçantat e sezonit për Apoloninë

Apolonia nuk po arrin të shfaqet si pretendente serioze për t’u rikthyer në Superiore. Klubi fierak ndryshoi strategji në fillim të kampionatit të kaluar, duke larguar shumë lojtarë titullarë dhe afroi vetëm lojtarë të rinj deri në moshën 23 vjeç.

Apolonia

Sigurisht qëndruan edhe disa lojtarë mbi këtë moshë, por strategjia ishte e qartë, krijimi i një grupi me të rinj që të jepte garanci për të ardhmen. Në vitin e parë gjërat nuk shkuan siç duhet, pasi skuadra jo vetëm që nuk rivalizoi për t’u ngjitur në Superiore, por përfundoi në grupin e ekipeve që luftuan për mbijetesën.

Në një vëzhgim të hollësishëm, gazeta sjell të veçantat dhe disa statistika të skuadrës gjatë kampionatit të kaluar, nga lojtarët e aktivizuar e deri te golashënuesi Myrto Uzuni. Ja të veçantat e fierakëve për kampionatin e kaluar.

Apolonia

-26 është numri i futbollistëve të aktivizuar nga trajneri Elidon Demiraj gjatë këtij kampionati. Futbollistët me më shumë minuta janë: Myrto Uzuni (2286′-26 ndeshje), Klajdi Broshka (2204′-25 ndeshje), Amarildo Dimo (2166′-25 ndeshje), Taulant Hysenshahaj (2092′- 24 ndeshje), Blerim Krasniqi (2085′-25 ndeshje).

-Ndërsa, më pak të aktivizuarit janë: Eljon Sota (3′-1 ndeshje), Krisel Prifti (17′-2 ndeshje), Ramadan Ibraimov (68′-5 ndeshje), Julian Ferro (79′-2 ndeshje), Florido Çaushaj (99′-4 ndeshje).

-36 gola ka shënuar Apolonia gjatë këtij kampionati, duke pasur 8 shënues: Uzuni 17 gola, Krasniqi 9, Kaçiku, Dimo, Troka dhe Hysenshahaj nga 2 gola, Broshka dhe Mustafaraj nga 1 gol.

-Myrto Uzuni është i vetmi futbollist që është aktivizuar në të 26 ndeshjet e kampionatit.

-3 futbollistë nuk janë aktivizuar asnjë minutë të vetme gjatë këtij kampionati: Gazmir Çepele, Ksement Mehmeti dhe Muhamed Berisha.

-Amarildo Dimo është futbollisti me moshën më të madhe në skuadër (lindur më 25.08.1982), ndërsa më i riu portieri Çepele (31.08.1999).

-Apolonia ka dy sezone që nuk luan në Superiore. Fierakët ishin për herë të fundit në elitë në 2014-2015. Skuadra synon që të rikthehet sërish në Superiore, por sezoni i kaluar ishte një dështim.

-Në intervalin 15-30′, Apolonia ka shënuar golat më të shumtë në sezonin e kaluar. Fierakët realizuan 11 gola në këtë minutazh. Më pas gola, vetëm 2, kanë shënuar në intervalin 0-15 minuta.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"