Një vit nga titulli kampion, ja si rrëshqiti Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2020 | 8:39

Një vit nga titulli kampion, ja si rrëshqiti Partizani

Një vit më parë, Par tizani i drejtuar nga trajneri Skënder Gega arriti të realizonte ëndrrën e gjatë të dashamirësve të kuq duke rikthyer titullin kampion pas një mungese 26-vjeçare. 12 maji i 2019-ës do të mbetet gjithnjë në kujtesën e familjes së kuqe, pasi pikërisht në atë ditë u realizua një qëllim i madh, duke fituar titullin e shumëpritur, që bukurinë ia shtoi suksesi në ndeshje derbi.

partizani kampion

Pas atij triumfi “uragani” i kuq pushtoi fushën e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku nuk munguan edhe lotët e gëzimit, duke filluar nga i pari i pankinës së skuadrës, trajneri Skënder Gega. Gjithçka që ndodhi pas fitores 2-1 në derbi dhe titullit të 16-të ishte legjitime dhe e ëndërruar prej gati tri dekadash te Partizani. Ky moment nuk arriti të shfrytëzohej në vazhdim nga “demat e kuq”, pasi 19 ditë më vonë te kampionët e rinj të Shqipërisë nisi çmontimi i organizuar.

U mendua se ai sezon suksesi do të ishte një manual në dorë të drejtuesve të kuq për të nisur një cikël të ri dhe të gjatë suksesi te Partizani, në mënyrë që të dominonin, të paktën duke kopjuar Skënderbeun e dekadës së fundit. Por nuk ishte thënë të ndodhte kështu, pasi pikërisht në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, më 1 qershor të 2019-ës, Partizani nisi ndryshimet rrënjësore duke cenuar boshtin e skuadrës që risolli titullin kampion pas 26 viteve pritje.

BILANCI 1-VJEÇAR – Në kuadrin e 366 ditëve kalendarike, Partizani është transformuar rrënjësisht ku duket qartë shpërfytyrimi i ekipit kampion, i cili ka rrëshqitur në atë pikë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në financimin e presidentit Gaz Demi në 7 sezonet e fundit në Superiore.

Revolucioni i verës së shkuar nisi me pretekstin për të ngritur nivelin dhe cilësinë, me idenë ë ndërtimit të një klubi evropian. Por nëse planet ishin për një skuadër europiane, aktualisht Partizani ndodhet edhe jashtë zonës së përfaqësimit në Kupat e Europës. Gjithsesi, shpresat nuk janë shuar, pasi janë edhe 10 ndeshje për t’u luajtur. Me fotografimin aktual të renditjes, ku mbajnë vendin e gjashtë, Partizani mbetet jashtë Europe, por edhe në të shkuarën fati ka qenë me “demat”, pasi kanë marrë pjesë në kompeticione europiane nga penalizimet e klubeve të tjera shqiptare.

Gabimet në këtë vit kalendarik janë të shumta te të kuqtë, ku gjithçka nisi me largimin e trajnerit Skënder Gega, që u pasua nga spastrimet e disa protagonistëve të titullit, afrimet pompoze në merkato që vetëm sa shtuan barrën financiare, pasi të gjithë sulmuesit e huaj kanë shënuar vetëm 3 gola në 26 javë kampionat. Ky keqmenaxhim e bën të detyrueshëm nisjen e një tjetër revolucioni riparues te Partizani me hapjen e merkatos së verës, ku tashmë shpresat mbeten te lojtarët e rinj dhe të sprovuarit në Superiore.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"