Një tjetër goditje për Partizanin, Bruno Telushi mund të humbasë sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2018 | 10:19

Një tjetër goditje për Partizanin, Bruno Telushi mund të humbasë sezonin

Partizani merr një tjetër goditje, pikër isht në momentin kur duhej një grup i plotë për të siguruar një biletë europiane. Sikur të mos mjaftonin mungesat e gjata të disa titullarëve të dëmtuar, Partizani humbet edhe afrimin e parë të merkatos së dimrit, Bruno Telushi.

telushi

Mesfushori vlonjat është i detyruar që sot t’i nënshtrohet një operacioni në gjurin e majtë. Në seancën e fundit para ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Kupës me Flamurtarin, Telushi ka ndierë dhimbje në gju pas një kërcimi në ajër. Fillimisht, mesfushori humbi ndeshjen e rëndësime dhe më pas nuk është aktivizuar në dy takimet e radhës në kampionat.

Pas ekzaminimeve të shumta mjekësore, rezonanca magnetike ka treguar problemin që lojtari ka në meniskun e gjurit. Pas këtij konstatimi është vendosur që gjatë mesditës së sotme, Telushi t’i nënshtrohet operacionit. Sipas ekzaminimeve, dëmtimi nuk duket shumë problematik, por gjithçka do të vërtetohet pas kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale.

trashi batha telushi

Nëse shkalla e dëmtimit rezulton më e madhe sesa e ka paraqitur rezonanca magnetike, i bie që Telushi mund të humbasë pjesën e mbetur të sezonit. Por, nëse operacioni shkon sipas shkallës së ekzaminuar, i bie që lojtari të mungojë 4-6 javë. Mungesa e saktë e lojtarit pritet të mësohet sot, pas përfundimit të operacionit.

Partizani e humbet Telushin, pikërisht në momentin më të mirë të lojtarit, i cili sapo ishte harmonizuar me grupin. Me Telushin në “thikë”, shkon në tre numri i lojtarëve të Partizanit, që janë operuar këtë sezon. Dihet që Edgar Çani dhe Arbnor Fejzullahu i mungojnë Partizanit që nga fundi i shtatorit.

Forma e mirë që kanë shfaqur aktualisht dy mesfushorët e rinj, Esat Mala dhe Alban Sulejmani, por edhe serbi Kulum, mund të bëjnë që të plotësohet boshllëku që do lërë Bruno Telushi pas ndërhyrjes kirurgjikale në meniskun e gjurit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"