Një tjetër futbollist largohet nga Apolonia, tifozët irritohen me klubin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 16:51

Një tjetër futbollist largohet nga Apolonia, tifozët irritohen me klubin

Rudin Nako është largimi i fundit nga Apolonia. Mbrojtësi 32-vjeçar ka ndërprerë marrëdhëniet nga dje “me mirëkuptim”, deklarata “zhargon” si në rastet e Krisel Priftit dhe Klejdi Branicës. Nako bëhet futbollisti i 5-të i larguar nga Apolonia, pas Priftit, Cekës, Oforit dhe Branicës.rubin-nako-653x420

Mbrojtësi fierak ka përvojë të gjatë, tek Apolonia ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, ndërsa në të shkuarën ka luajtur për Korabin, Bylisin dhe Egnatian. Kontrata e tij me Apoloninë skadonte në qershor 2020, por u zgjidh para kohe, me “mirëkuptim”…

FENOMENI – Është një situatë groteske te fierakët, madje absurde, sepse që në fillim të sezonit vuan mungesën e mbrojtësve natyralë (Mërgjyshi është telendisur duke arnuar), ndërsa tani paska luksin të largojë një tjetër mbrojtës, aq më tepër Nakon. Duke lënë mënjanë emrin dhe përvojën, ka diçka që nuk shkon.

Apolonia kishte mbrojtës Priftin, Oforin, Cekën dhe Nakon dhe trajneri Mërgjyshi deklaronte se i duheshin përforcime në këtë repart. Edhe këto ditë e ka theksuar ca më shumë, por si mund të lejohet me “mirëkuptim” largimi i një mbrojtësi me përvojë, një nga dy lojtarët natyralë të këtij pozicioni?Apolonia Elbasani

ZEMËRATË TIFOZËSH – “Deja vu” te fierakët. Edhe këtë sezon që shpresohej diçka, ky fillim janari po e zbeh entuziazmin. Përsëritet historia e vjetër, me premtime të bujshme në verë dhe fillimi i tatëpjetës në dhjetor-janar. Këtë sezon pati rritje optimizmi nga tifozët, sepse klubi premtoi Superioren si dhuratë për 95-vjetorin e themelimit të Apolonisë. Mund të ndodhë, ku i dihet, por, “siç duken bathët, janë larg Pashkët”.

Thënë qartë, nuk ka shumë shpresë. Me 5 largime dhe 0 prurje, kur testohen lojtarë 18-vjeçarë dhe përforcon rivalët nga “largimet me mirëkuptim”, Superiorja nuk ka si të vijë. Kjo skuadër ka 5 sezone në të Parën dhe dështimet i ka pasur gjithmonë të lidhura me merkaton. Ajo që irriton më shumë publikun fierak është pandryshueshmëria e “filozofisë” së klubit. Nëse vazhdohet me të njëjtën metodë, që ka sjellë dështime kaq vjet me radhë, zemërata ndaj drejtuesve të klubit është legjitime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"