Një thes me gola të pësuar/ Luftëtari, një rekord negativ historik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 13:16

Një thes me gola të pësuar/ Luftëtari, një rekord negativ historik

U bënë plot shtatë muaj nga fitorja e fundit e Luftëtarit në kampionat, pikërisht më 18 dhjetor 2019, kur gjirokastritët mposhtnin Skënderbeun 2-0 falë dy golave të Gresild Likës. Gjithashtu, u bënë katër muaj nga pika e fundit e marrë në Superiore, më 8 mars 2020, kur bluzinjtë barazuan 1-1 ndaj Bylisit.

Futbollistet e Luftetarit

Pas rifillimit të kampionatit, shkëndija e vetme pozitive e gjirokastritëve ka qenë ajo humbje me dinjitet ndaj Kukësit në frymën e fundit me shifrat 2-1. Më pas skuadra bluzi u kthye në “tabelë qitjeje”, teksa ka mbetur me 14 pikë dhe ka zbritur në vendin e fundit.

Me sa duket, Luftëtari i këtij sezoni është i destinuar për të kapur rekordet më negative të historisë së tij në elitën e futbollit shqiptar. Këtë e thonë vetë shifrat, pasi në 44 pjesëmarrje në Kategorinë Superiore, është e pamundur të gjesh një sezon tjetër ku Luftëtari të ketë bërë kaq keq.

Prandaj dhe ky grup i ri lojtarësh që përfaqëson këtë sezon ekipin gjirokastrit, mban një barrë të madhe mbi supe. Problemet nga më të ndryshmet që shoqëruan klubin në fillimin e këtij sezoni kanë ndikuar jo pak, ndërsa rënia nga Kategoria Superiore erdhi kur kishin mbetur edhe 7 ndeshje për të luajtur deri në fund. Mirëpo, ajo që bën më tepër përshtypje në këtë ecuri negative janë golat e pësuar.

Plot 75 gola të pësuar dhe vetëm 16 të shënuar e bëjnë skuadrën bluzi me statistikat më të dobëta në të dyja aspektet. Vetëm në gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat Luftëtari ka pësuar 27 gola, duke treguar se i gjithë ekipi në fazën mbrojtëse ka lënë për të dëshiruar. Tashmë Luftëtarit i mbetet që në këto katër javë kampionat që kanë mbetur ta mbyllë me nder në fushë, duke lënë pas humbjet me goleadë.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"