Një talent nigerian në Fier, rrëfehet bomberi që po shënon sistematikisht: Më frymëzon Osimhen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 22:41

Një talent nigerian në Fier, rrëfehet bomberi që po shënon sistematikisht: Më frymëzon Osimhen

Antoni Umejiego nuk po di të ndalet. Apolonia ka një “bomber” tashmë në ekip dhe është pikërisht nigeriani. Nëse vjet e gjeti vetëm një herë rrjetën në 10 ndeshje, këtë vit po e gjen rrjetën sistematikisht. Ka bërë vetëm javën e parë pushim (atë kundër Korabit), për të mos u ndalur më.

Umejiego Apolonia

Numëron 4 gola në kampionat e një në Kupën e Shqipërisë dhe është zyrtarisht shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë. Ka ndëshkuar dy herë Turbinën, një herë Besën dhe së fundi Lushnjën. Është vetëm 19 vjeç, por tejet modest. Nuk i merr meritat e golave vetëm për vete, por i ndan me ekipin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi skanon ecurinë e deritanishme të fierakëve në kampionat, objektivat, flet për formën e tij dhe na zbulon kë ka idhull.

Apolonia pozicionohet e katërta në renditje me dy fitore, një barazim dhe një humbje. Si e vlerësoni këtë start të kampionatit?

Start pozitiv do të thoja. Përpos pikëve të marra, ne kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira duke treguar cilësitë tona në fushën e lojës. Apolonia është një skuadër shumë e fortë dhe jam besimplotë që sezonin e ardhshëm do të marrim pjesë në “Abissnet Superiore”.

Mundët edhe Lushnjën në derbi. E prisnit një fitore kaq të pastër?

Sigurisht që fitorja në derbi vlen dyfish, po më e rëndësishmja është që bëmë një autokritikë të menjëhershme në kampionat. Pas asaj humbjeje përballë Besës, ishim të destinuar të reagonim me Lushnjën, për më tepër që luanim para tifozëve tanë. U futëm në fushë vetëm për ta fituar ndeshjen, ndaj jam shumë i lumtur për triumfin tonë.

Jeni golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, me katër gola në po kaq ndeshje. Cili është “çelësi” i kësaj forme?

Nuk kam një formulë fikse, por mund të them se çdo ditë unë stërvitem shumë për të arritur e dhënë maksimumin tim në fushën e lojës. Realisht tek Apolonia po ndihem si në shtëpinë time dhe po i shijoj në maksimum të gjithë golat e realizuar. Golat e mi vijnë si pasojë e lojës në grup, ndaj dua të falënderoj shumë shokët e mi të skuadrës.

Umejiego Apolonia 2

Keni ndonjë dedikim për këta gola?

Patjetër që po. Pikësëpari familjes sime, por edhe shokëve të skuadrës. Prej disa muajsh djemtë më kanë qëndruar shumë afër, më mbështesin vazhdimisht dhe njëkohësisht më japin plot asiste gjatë ndeshjes.

Cili është idhulli juaj në futboll?

Idhulli im në futboll, Viktor Osimhen. E ndjek në çdo ndeshje dhe përpiqem të mësoj shumë prej tij. E konsideroj një nga sulmuesit më të mirë në Europë, sidomos pas kalimit te Napoli në kampionatin italian.

Javën tjetër shkoni në Pukë, atje ku ju pret Tërbuni. Cili është objektivi për këtë ndeshje?

Po, i kemi filluar përgatitjet për kundërshtarin e radhës dhe më kryesorja është që jemi të qetë psikologjikisht. Pavarësisht se na pret një sfidë e vështirë në Pukë, ne do të hyjmë në fushë me besimin e plotë për të marrë një rezultat pozitiv. Rrjedhimisht duhet të mobilizohemi shumë për këtë përballje, madje të shtojmë dozën e stërvitjes vetëm e vetëm për të vazhduar formën e mirë në kampionat.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"