Një sulmues nga Venecia për Dinamon, “Nëndetësja” nis punën në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2022 | 8:43

Një sulmues nga Venecia për Dinamon, “Nëndetësja” nis punën në merkato

Dinamo e ka nisur merkaton e dimrit. Ose më mirë, Dinamo është gjithmonë në merkato, në radhët e saj shfaqen shpesh lojtarë të rinj në moshë që vëzhgohen për disa ditë nga stafi teknik. Por këtë herë duket një rast ndryshe. Me kryeqytetasit ka nisur stërvitjen ditët e fundit Alen Ndreu, i cili ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë.

alen ndreu

Ai është 18 vjeç, me origjinë nga Lezha, por ka lindur në Venecia, ku është formuar nga ana futbollistike. Ka kaluar më pas te të rinjtë e Pordenones dhe ka pasur një aktivizim të shkurtër te Montebeluna në Serinë D italiane.

Aktualisht është pa klub dhe, me sa duket, lojtari është në kërkim të një stacioni që mund t’i shërbejë për rritjen profesionale dhe Dinamo është një mundësi shumë e mirë.

Në anën tjetër, klubi kryeqytetas e ka bërë të qartë tashmë politikën për të përkrahur të rinjtë, përveç rikthimit në Superiore.

Nga kjo politikë blutë sapo kanë arkëtuar 600 mijë euro, që erdhën nga shitja e portierit Simon Simoni.

Duro dhe Jaku janë në këtë rrugë, ndërkohë që të tjera talente do të mbushin radhët e Dinamos, ku Ndreu me shumë mundësi do të jetë i pari.

Për momentin nuk mund të flitet për një kontratë mes palëve. Lojtari po vëzhgohet me kujdes nga ana e stafit dinamovit, që më pas do të vendosë për qëndrimin ose jo të tij.

SULMI – Gjasat që Alen Ndreu të qëndrojë te Dinamo janë të mëdha, po të llogarisësh edhe faktin se ai është një sulmues qendre.

Edhe pse i ri në moshë, ai mund t’u shërbejë bluve tani dhe në të ardhmen, pasi është një lojtar me parametra fizikë të admirueshëm. Klubi kryeqytetas është në kërkim të një qendërsulmuesi, për të cilin ka nevojë.

Taulant Marku dhe Denison, që janë dy titullarët e sulmit, janë më shumë lojtarë krahu.

Dy qendërsulmuesit që blutë kanë në organikë janë Rexhinaldo dhe Daija. Jo vetëm që asnjëri prej tyre nuk është titullar, por edhe si zëvendësues ata kanë marrë shumë pak minuta.

Një situatë që e vë në dyshim qëndrimin e këtyre lojtarëve të Dinamos pas merkatos së dimrit.

Përveç Ndreut, gjithmonë nëse firmos, Dinamo mund të afrojë edhe ndonjë sulmues tjetër me përvojë, edhe pse në janar është gjithmonë e vështirë të gjesh lojtarë me kualitet.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"