Një sulmues në horizontin e Apolonisë, gati akordi me Saimir Hasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 16:39

Një sulmues në horizontin e Apolonisë, gati akordi me Saimir Hasanin

Apolonia nuk do të ndalet vetëm me dy afrime në këtë merkato. Së fundmi po lakohet një tjetër emër dhe bëhet fjalë për sulmuesin Saimir Hasani.

saimir-hasani

Laçiani aktualisht është pa skuadër dhe mund të jetë afrimi i tretë i fierakëve. Zyrtarizimi i ish-lojtarit të Elbasanit është vetëm çështje ditësh. Klubi dëshiron të përforcojë sulmin, duke qenë se Jeton Krasniqi është i vetëm në këtë repart.

“Bomberi” ka nevojë për mbështetje, ndaj drejtuesit po mendojnë që të marrin pikërisht Hasanin. Thuajse shumicën e ndeshjeve në fazën e parë, skuadra i ka nisur me një lojtar në vijën e parë dhe tani duan që të shtojnë forcat.

Sakaq, ekipi po vazhdon përgatitjet intensive për Shkumbinin. Fierakët luajnë sërish në transfertë dhe nuk po nënvlerësojnë aspak kundërshtarin e tyre. Jo pak herë u janë kthyer në makth ndeshjet jashtë fushe, sikundër ndodhi në Shijak. Ishin duke fituar përballë Erzenit, por në fund u barazuan.

Këtë herë ama duan që të dalin fitimtarë, ndaj po marrin që të gjitha masat. Mobilizimi gjatë gjithë javës ka qenë maksimal dhe kërkesa e llogarisë njëherësh, aq sa italiani Juri Kanarsa dhe stafi i tij nuk kanë ngurruar që të ngrenë edhe tonet hera-herës. Harmonia nuk mundon sidoqoftë dhe ajo është e dukshme. Të gjithë po punojnë për të korrigjuar veten, pasi duan që nga Peqini të kthehen duarplot.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"