Një “shkrepje” e Brahjës, Turbina mund në miqësore Valbonën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2022 | 13:59

Një “shkrepje” e Brahjës, Turbina mund në miqësore Valbonën

Turbina luajti të parën miqësore në këtë periudhë pushimi të pazakontë. Ata janë ndeshur me Valbonën e Kategorisë së Dytë dhe ndeshja u zhvillua në kryeqytet, ku edhe stërviten cërrikasit.

280947869_5260822783970328_4573484613947995209_n

Të besuarit e Bledar Devollit e kanë fituar minimalisht, me atë gol të shënuar prej Brahjës vetëm 10 minuta para fundit. Të dyja ekipet kanë shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit për të mbajtur lojtarët në tonus. Loja ka qenë sa interesante aq edhe e fortë, aq sa në momente të ngjante si ndeshje zyrtare. Të dy trajnerët fillimisht kanë hedhur në fushë formacionet më të mira. Ata kanë provuar në njëfarë mënyre lojtarët se në ç’gjendje janë në këtë pauzë.

Pjesa e parë ka përfunduar me porta të paprekura, ndonëse rastet nuk kanë munguar. Në të dytën, teknikët respektivë kanë bërë shumë zëvendësime dhe dhënë hapësirë që të gjithë kontingjentit që kishin në stol. Pas shumë përpjekjesh, Turbina ka zhbllokuar shifrat. Ishte minuta e 80- të, kur Brahja ka shfrytëzuar më së miri atë mundësi që iu dha. Deri në përfundim, rezultati s’ka ndryshuar. Bledar Devolli pas kësaj sfide, tha: “Kemi zhvilluar një test kontrolli, duke shfrytëzuar dhe ndërprerjen e kampionatit. Jemi përballuar me Valbonën që luan një ligë më poshtë dhe kjo miqësore na ndihmoi shumë për të parë gjendjen e skuadrës. Jam i kënaqur me ekipin, që është në formë shumë të mirë dhe duhet të vazhdoj kështu”.

MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"