Një serb që flet greqisht, ja pse Milinkoviç hoqi dorë nga anglishtja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2017 | 14:38

Një serb që flet greqisht, ja pse Milinkoviç hoqi dorë nga anglishtja

Mlladen Milinkoviç ishte një i panjohur kur erdhi në Gjirokastër në korrik të vitit 2016, por mjaftoi një sezon që të shndërrohej në një nga trajnerët më të mirë të Kategorisë Superiore. Presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, mes disa kandidaturave serbe, zgjodhi Milinkoviçin për të drejtuar skuadrën e qytetit të gurtë.

Milinkovic dhe Vasil Papa

Trajneri nga Loznica, nën drejtimin e bluzinjve, ishte vetëm një hap larg pjesëmarrjes në Ligën e Europës. Në një vit qëndrim në Gjirokastër, përpara se të transferohej te Kukësi, Milinkoviç zgjodhi të fliste anglisht me mediat, teksa përkthehej më së shumti nga shefi i klubit, Gentian Nora, por edhe zëdhënësi për shtyp, Rigels Malile.

Mirëpo, në momentin që mori drejtimin e Kukësit, serbi zgjodhi të komunikonte me median në gjuhën greke, duke u përkthyer nga Vasil Papa, i cili është njëkohësisht edhe ndihmësi i tij te verilindorët.

Kjo krijoji jo pak habi, por për “Panorama Sport”, shefi i klubit kuksian, Jonuz Hallaçi, tregon pse Milinkoviç ka bërë këtë zgjedhje. “Trajneri ka Vasil Papën, bashkëpunëtorin e vet më të ngushtë, të cilin e ka zgjedhur ta ketë njëkohësisht edhe përkthyes. Njeriu mund të zgjedhë çfarë gjuhe të dojë të komunikojë dhe nuk mund të marrë një përkthyes që nuk di asgjë nga futbolli, në një kohë që ka ndihmësin e tij, i cili flet një gjuhë që e di shumë mirë edhe ai vetë.

Pa harruar që në ekip janë dhe disa lojtarë që flasin greqisht si Koliçi, Alla, Rrumbullaku, Kale. Milinkoviç ka dy përkthyes si ndihmës brenda fushës. Përveç Vasilit nga greqishtja, edhe Ivan Gvzodenoviç nga serbishtja në shqip. Në skuadër dinë serbisht Kërkotiç dhe pak Aliev. Mendoj se është e tepërt t’i ngatërrojmë në fushë një të tretë. Ai jeton dhe punon gjithë kohën me Vasilin”, ka sqaruar për gazetën shefi i klubit kuksian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"