Një serb karikon Besëlidhjen, Çokiç: E mundim Korabin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2020 | 23:21

Një serb karikon Besëlidhjen, Çokiç: E mundim Korabin…

Besëlidhja është gati për një tjetër finale. Pasi morën një pikë me Burrelin, tashmë do të tentojnë fitoren me Korabin. Luhet në transfertë dhe vështirësia shtohet, megjithatë lezhjanët janë të vendosur për të mos hedhur më hapa të gabuar. Këtë e thotë edhe serbi Dimitrie Çokiç, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”.

Cokic

Mesfushori është rikuperuar edhe nga dëmtimi, ndaj premton 100% në fushë kundër dibranëve. “Kam qenë i dëmtuar në këmbë, gjë që më detyroi ta nisja nga stoli Burrelin. Tani jam rehabilituar dhe 100% i gatshëm për Korabit. Një javë më parë nuk shkuam dot më larg se një barazim pa gola, por tani duam vetëm fitoren. Përpara kemi transfertën me dibranët, që ka marrë vlerësimin tonë maksimal.

Do të jetë një takim shumë i luftuar, pasi kundërshtarët kanë 3 pikë më shumë se ne në klasifikim. Duke parë formën e shkëlqyer të skuadrës, jam i bindur se rezultati pozitiv ndaj Korabit nuk do të na mungojë.

Do t’i mundim dibranët, jemi më të mirë se ata dhe këtë do ta vërtetojë përballja në fushë. Po pres me padurim ditën e ndeshjes”, përfundoi mesfushori, i cili po kontribuon për të dytin sezon për Besëlidhjen. Lezhjanëve këtë kampionat i është bashkuar dhe vëllai i tij, Milan Çokiç. Katër serbë do të luajnë me Besëlidhjen në këtë përballje, pasi pjesë e organikës janë edhe portieri Gjorgje Vukashinoviç e mesfushori Milan Gjorgjeviç.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"