“Një ‘play-off’ mes tri kryesueseve”, propozim i veçantë nga Lushnja për Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 11:02

“Një ‘play-off’ mes tri kryesueseve”, propozim i veçantë nga Lushnja për Kategorinë e Parë

Lushnja ka në përbërje disa futbollistë nga qytete të tjera, të cilët aktualisht po qëndrojnë të karantinuar në shtëpitë e tyre. Mbrojtësi Endrien Magani, mesfushori Eneo Sulkja dhe sulmuesi Klejdis Branica ndodhen në Peqin, mesfushori Orgest Gava në Elbasan, ndërsa mbrojtësi Rudin Nako dhe mesfushori Arbër Mone në Fier. Pjesa tjetër e skuadrës janë nga qyteti i Lushnjës. Verdhejeshilët për momentin kryejnë stërvitje individuale në kushte shtëpie, sipas udhëzimeve të stafit teknik.
arber mone

MONE – Futbollisti i linjës së majtë të formacionit të trajnerit Gjyla, Abër Mone, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se me çdo kusht fatet e sezonit duhet të vendosen në fushë, në një mënyrë apo tjetër. Ai propozon që tri skuadrat pretendente në Grupin B mund të ndeshen mes tyre në “play off”, nëse do të jetë e pamundur që kampionati të përfundojë rregullisht, sipas ndeshjeve të përcaktuara në kalendar.

“Është shumë e vështirë për çdo futbollist që të stërvitet në kushte shtëpie. Po presim të fillojë sa më shpejt stërvitja në terren dhe në mënyrë të organizuar, të kemi sa më shpejt datën që do të rifillojmë kampionatin për të çuar deri në fund misionin tonë. Është një moment shumë i vështirë. Të bëjmë hapin e parë, të grumbullohemi dhe pastaj t’i marrim gjërat me radhë. Dihet nga të gjithë që verdiktet është mirë të jepen në fushë, ashtu siç janë caktuar në fillim të sezonit. Le të ndeshen mes tyre Pogradeci, Apolonia dhe Lushnja, tri skuadrat që pretendojnë Superioren në grupin tonë, në momentin më të përshtatshëm. Kush ta meritojë, le të shkojë në Superiore apo të shfrytëzojë edhe ndeshjet shtesë”, u shpreh mëngjarashi Mone.

Mesfushori fierak luan periudhën e dytë te Lushnja, pasi 32-vjeçari ka luajtur më parë edhe në periudhën janar 2017-qershor 2018. Ai është aktivizuar edhe te Naftëtari, Himara, Tërbuni, Bylisi dhe Ferizaj në kampionatin e Kosovës. Lushnja është e treta në renditjen aktuale, ndaj dhe është më e interesuara për rifillimin e kampionatit.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"